Shëngjin: Shërbimeve turistike të përmirësuara

Në lashtësi ishte një ndër qytetet më të rëndësishme, njihej me emrin Lisus. Lezha e sotme, mbart peshë të madhe historike, ekonomike, shoqërore, kulturore në Shqipëri. Ujërat e Adriatikut që lagin brigjet e Lezhës, e bëjnë këtë bashki një ndër më të preferuarat gjatë sezonit veror.

Plazhi i Shëngjinit në Lezhë përfaqëson një nga destinacionet më tërheqëse për pushime në Shqipëri. Me ujërat e tij të kristalta, infrastrukturën e zhvilluar dhe ofertën e pasur të aktiviteteve, Shëngjini është një vend ku çdo turist mund të gjejë diçka për të shijuar. Ky destinacion bregdetar është ideal për ata që kërkojnë si pushime të qeta, por edhe aventurë dhe një eksperiencë të paharrueshme verore.

Shëngjini ofron një kombinim të natyrës së bukur, mikpritjes së ngrohtë dhe aktiviteteve të shumta, duke e bërë atë një vend të përsosur për pushime verore.

Bashkia e Lezhës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të shërbimeve turistike në zonën e saj, duke ndërtuar dhe vënë në funksion një zyrë informuese (Info-Point) për turistët në plazhin e Shëngjinit.

Realizimi i projektit “Zhvillimi i turizmit në Lezhë”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes skemës së granteve të “BE për Bashkitë”, mundësoi përmirësimin e shërbimeve bashkiake për të kontribuar në zhvillimin e potencialeve turistike të Lezhës, si dhe për të promovuar ofertën turistike të kësaj Bashkie.

Për realizimin e projektit “Zhvillimi i turizmit në Lezhë”, buxheti i përgjishëm i përdorur ishte 51.840 euro, nga të cilat 46.656 euro është kontribut i Bashkimit Evropian.

Kryetar i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu mendon se ndërtimi i zyrës Info Point në Shëngjin, është një vlerë e shtuar për Bashkinë Lezhë dhe një lehtësi komunikimi për personat që vizitojnë Shëngjinin.

“Nëpërmjet Info Point-it shumë turistë janë informuar për vlerat kulturore, historike, etnografike, natyrore dhe resurset që bregdeti i Shëngjinit ka. Për këtë arsye, falenderojmë donatorin që i dha mundësinë Bashkisë Lezhë të financojë një projekt kaq të rëndësishem për ne. Bashkia Lezhë angazhohet që Info Pointi të jetë pranë turistëve çdo ditë të vitit”, shprehet kryebashkiaku Pjerin Ndreu.

Info Point ofron informacione në përputhje me standardet bashkëkohore për rreth 5000 turistë vendas dhe të huaj që frekuentojnë plazhin e Shëngjinit. Ky shërbim synon të garantojë një përvojë sa më të këndshme dhe informuese për të gjithë vizitorët, duke ofruar informacione të detajuara mbi atraksionet turistike, shërbimet akomoduese, dhe aktivitete të ndryshme në zonë.

Në kuadër të këtij projekti, janë organizuar edhe takime publike dhe me përfaqësues të biznesit lokal, me qëllim promovimin e një oferte më të mirë turistike. Këto takime kanë shërbyer si një platformë për të diskutuar dhe identifikuar mënyra efektive për të përmirësuar shërbimet turistike në plazhin e Shëngjinit.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest