Shkollat ​​e Kamzës më të gjelbërta me mbështetjen e BE-së

Politikat e gjelbra, strategji të hartuara për të mbrojtur mjedisin, për të promovuar qëndrueshmërinë dhe për të luftuar ndryshimet klimatike po aplikohen vitet e fundit në Shqipëri. Këto politika synojnë të zvogëlojnë ndikimin negativ të aktiviteteve njerëzore në mjedis.

Politikat e gjelbra përfshijnë strategji të avancuara për menaxhimin e mbetjeve. Vendosja e sistemeve të ndarjes së mbetjeve në burim është thelbësore.

Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë mjedisore, Bashkia e Kamzës zbatoi projektin “Mjedis i pastër, arsim i shëndetshëm dhe cilësor në shkolla”, në kuadër të skemës së granteve “BE për Bashkitë”. Përfitues të drejtëpërdrejtë të projektit u bënë dy institucione arsimore, Shkolla e Mesme “Isa Boletini” në Paskuqan dhe Shkolla 9-Vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri” në Laknas. Ndësa rreth 20 mijë nxënës dhe anëtarë të komunitetit u informuan në lidhje me praktikat e menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht për ndarjen dhe riciklimin e tyre. Me vendosjen e koshave për ndarjen e mbetjeve në 25 shkolla të kësaj bashkie, projekti ka ndërmarrë hapa të prekshëm drejt promovimit të zakoneve të përgjegjshme të depozitimit të mbetjeve. Për realizimin e projektit Bashkia Kamëz pati në dispozicion një buxhet të përgjithshëm prej 53.392 eurosh, prej të cilave 47.260 euro është kontribut i Bashkimit Evropian.

“Mbështetur nga projekti “BE për Bashkitë”, Bashkia Kamëz ka realizuar me sukses objektivat e veta duke siguruar infrastrukturën për ndarjen e mbetjeve në burim dhe duke rritur hapësirat e gjelbra në 25 shkolla, ndërsa ka ndërgjegjësuar dhe informuar 22,000 nxënës dhe komunitetin e Bashkisë Kamëz për rëndësinë e një mjedisi të pastër dhe të gjelbër. Prandaj, mbrojtja e mjedisit nuk është një opsion, por një detyrim që ne i kemi vetes dhe gjeneratave të ardhshme”, shprehet Valentina Kola, menaxhere e projektit për Bashkinë Kamëz.

Në kuadër të këtij projekti u krijuan 25 grupe ekologjike me pjesëmarrjen aktive të 625 nxënësve, u organizuar 25 aksione pastrimi dhe 25 aksione gjelbërimi të shkollave dhe mjedisit përreth tyre.

Politikat e gjelbra janë thelbësore për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të shëndetshme për brezat e ardhshëm.

Duke përfshirë burime të rinovueshme, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e biodiversitetit dhe transportin e qëndrueshëm, këto politika mund të ndihmojnë në ndërtimin e një bote më të pastër dhe më të qëndrueshme.

Megjithëse ka sfida në zbatimin e tyre, përfitimet afatgjata që ato sjellin janë të paçmueshme.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest