Qendra e Re Multifunksionale Shkodër: Komuniteti në Zemër

Rikonstruksioni i Qendrës Multifunksionale “Xixëllonjat” ka sjellë një valë të re të shërbimeve cilësore që plotësojnë nevojat e komunitetit në lagjet Nr. 1 dhe Nr. 2 në Shkodër. Kjo qendër e re ofron një gamë të gjerë aktivitetesh dhe resursesh për të gjitha grupmoshat, duke kontribuar në zhvillimin e gjithanshëm të qytetit. Ndër shërbimet që sot Qendra ofron përmendim ato shëndetësore, mbështetje për të moshuarit dhe fëmijët, sport dhe rekreacion dhe aktivitetet edukative, kulturore dhe artistike.

Bashkia e Shkodrës e realizoi rikonstruksionin dhe mobilimin e ambienteve të Qendrës Multifunksinale “Xixëllonjat”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”.

“Ne duam t’ju ofrojmë një jetë dhe shërbime me të mira dhe mendojmë se “BE për Bashkitë” është një shembull i përkushtimit tonë për ta realizuar këtë” u shpreh gjatë inaugurimit Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Hubert Perr.

Buxheti i përgjithshëm për rikonstruksionin e godinës dhe mobilimin është 195,920.00 euro, nga të cilat kontributi i Bashkimit Evropian është 176,225.00 euro ose 89.95% e vlerës.

Që prej përurimit, Qendra Multifunksionale “Xixëllonjat” ka nxitur përfshirjen sociale dhe zhvillimin e komunitetit nëpërmjet shërbimeve dhe aktiviteteve social-kulturore të larmishme.

“Veçantia e Qendrës Multifunksionale “Xixëllonjat” qëndron në nevojën dhe dëshirën e madhe të komunitetit për rehabilitimin e një objekti të braktisur në zemër të lagjes së tyre periferike. Falenderimet që kemi marrë, fëmijët e lumtur apo sytë e surprizuar për rezultatin janë kujtimi më i bukur që do marr me vete nga ky projekt”, shprehet Mirza Berdica, Menaxhere e projektit për Bashkinë Shkodër.

Lorena Bardeli, specialiste e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Shkodrës tregon:

“Të dëgjonim:”Tashmë në lagje parkojnë makina dhe ka njerëz që hyjnë e dalin duke marrë shërbime aty ku jetojnë, për herë të parë pas shumë vitesh”- nga një banorët e lagjes, është ndryshimi që kemi dashur të arrijmë me ngritjen dhe vënien në funksion të Qendrës Multifunksionale “Xixëllonjat”. Qendra Multifunksionale “Xixëllonjat” e ngritur në godinën e ish shkollës Veterinare, në një nga lagjet periferike dhe problematike të Shkodrës, me mbështetjen e “BE për Bashkitë” është punë e shumë viteve e një skuadre të palodhur.”.

Si një dritë orientimi për të gjitha grupmoshat, si të rritur dhe fëmijë ku nëpërmjet bibliotekës, amfiteatrit, ambienteve për të moshuar, çerdhes apo sallës së lojrave secili mund të gjejë një hapësirë të përshtatshme për të rritur kapacitetet e veta personale apo të kalojë kohën e lirë.

““Loja është e para” është aktiviteti që na mbledh çdo javë. Jemi shumë të lumtur për këtë sepse është një mundësi shumë e mirë për t`u njohur dhe zhvilluar së bashku me shokët përmes lojës”, shprehet Aid Gjonaj, nxënës i shkollës “Xheladin Fishta”.

Qendra Multifunksionale e rinovuar është bërë një pikë e rëndësishme takimi për banorët e Shkodrës, duke nxitur ndërveprimin social dhe duke forcuar ndjenjën e komunitetit. Përveç ofrimit të shërbimeve të drejtpërdrejta, qendra është një hapësirë ku individët mund të ndajnë përvojat e tyre, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të ndihmojnë në zhvillimin e një komuniteti më të bashkuar dhe të qëndrueshëm.

 

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest