Një ndër perlat e jugut të Shqipërisë, i njohur si “Qyteti i Trëndafilave”, Përmeti mbart vlera, tradita, kulturë dhe bukuri mahnitëse. Në antikitet, qyteti i ngritur pranë brigjeve të Vjosës njihej me emrin Trifilia. Bashkia Përmet mburret me historinë dhe kryefjalë e saj është Frashëri, vendilindja rilindave shqiptarë, vëllezërve Sami, Abdyl dhe Naim Frashëri.
Bashkia Përmet ka vendosur si një ndër prioritetet e saj mbështetjen ndaj të rinjëve, si burim i pashterrshëm energjie. Projekti “Përmirësimi i aksesit në shërbime publike për fuqizimin e të rinjve në Përmet”, ka qëllim kontributin në mbështetje të mirëqenies së të rinjve me anë të përmirësimit të infrastrukturës publike dhe duke rritur cilësinë dhe akseksin në shërbime.
Me rikonstruksionin e Qendrës Rinore “Ollga Shuraja”, 326 të rinj në Bashkinë e Përmetit janë përfitues të shërbimeve të saj. Rikonstruksioni i Qendrës Rinore u realizua nga Bashkia e Përmetit me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”. Buxheti i përgjithshëm kushtuar realizimit të projektit është 180.000.00 euro, nga të cilat 162.000.00 euro është kontributi i Bashkimit Evropian. Falë rikonstruksionit të godinës u krijuan hapësira të reja publike të dedikuara për të rinjtë, si dhe shërbime më të mira për të mbështetur kreativitetin, talentin dhe fuqizimin ekonomik të të rinjve në këtë Bashki.
Për kryetaren e Bashkisë Përmet Alma Hoxha, falë mbështetjes së projektit “BE për Bashkitë” u arrit jo vetëm të përmirësohet infrastruktura për të rinjtë, por edhe aksesi në shërbime të reja.
“I rëndësishëm nuk është vetëm rikonstruksioni i godinës por rijetëzimi i saj. Tashmë kjo qendër është funksionale dhe drejtohet nga vetë të rinjtë e Përmetit, gjithmonë dhe më tepër në numër, gjithmonë dhe më tepër me ide inovatore”, theksoi Kryetarja e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha.
Sot Qendra Rinore “Ollga Shuraja” orfron 7 shërbime publike në funksion të rinisë.
Megi Ibrahimi, kryetare e Këshillit Rinor në Përmet shprehet së përjeton kënaqësi të madhe kur shikon që tashmë Qendra Rinore ka çelur dyert e saj për të gjithë të rinjtë e Përmetit.
“Vendi ku mpleksen ide e këndvështrime, ku mund të shpaloset çdo aftësi, ku koha e lirë e pasditeve mbushet me aktivitetet më të këndshme. Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që m’u dha mundësia të isha pjesë e këtij procesi”, thotë Megi Ibrahimi.
Projekti konsistoi jo vetëm në rikonstruksionin e Qendrës Rinore “Ollga Shuraja”, por edhe në trajnimin dhe mbështetjen e stafit të qendrës rinore, organizimin e aktiviteteve informuese, argëtuese, ndërgjegjësuese dhe edukuese për të rinjtë. Po ashtu, u mundësua funksionimi i Zyrës së Këshillimit të Karrierës.
Denisa Mamillo, Projekt Menaxhere në Bashkinë Përmet, thekson se ndërtimi i një qëndre rinore dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për të rinjtë ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e të rinjve përmetarë.
“Me projektin e përfituar në thirrjen e parë të “BE për Bashkitë” kjo kërkesë u plotësua. Falenderojmë stafin e “BE për Bashkitë” për mbështetjen gjatë implementimit të projektit, pasi një projekt i zbatuar mirë është një projekt i suskseshëm dhe ndihmë për hartimin dhe implementimin e projekteve të tjera të BE-së”, thekson Denisa Mamillo.
Falë projektit u ngritën 5 startup-e rinore të mbështetura nga ekspërtë nëpërmjet këshillimit ligjor, menaxherial dhe financiar. Ndërkohë që 5 pjesëtarë të stafit të Bashkisë u aftësuan për çështjet rinore. Gjithshtu, u zhvilluan aktivitete mbi çështje të lidhura ngushtësisht me Bashkimin Evropian, me pjesëmarrjen aktive të të rinjve.
Investimi tek rinia është një nga strategjitë më të rëndësishme për zhvillimin afatgjatë të një vendi. Rinia përfaqëson energjinë, kreativitetin dhe potencialin për ndryshim dhe përparim. Për të maksimizuar këtë potencial, është thelbësore të investohet në arsim, shëndetësi, mundësi punësimi dhe përfshirje sociale për të rinjtë.