Çfarë është EU4Municipalities?
EU4Municipalities financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ). Projekti synon të forcojë qeverisjen vendore përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe ofrimit të shërbimeve, mbështetjes së zhvillimit socio-ekonomik, si dhe forcimit të dialogut dhe koordinimit ndërmjet niveleve të qeverisjes. Faza e dytë e projektit fokusohet në tre fusha ndërhyrjeje: një skemë grantesh për shërbimet dhe infrastrukturën vendore; Asistencë teknike për forcimin e qeverisjes shumë-nivelore dhe rolit të bashkive në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe një platformë e përbashkët digjitale në mbështetje të bashkive.
OBJEKTIVAT SPECIFIKE TE PROJEKTIT:
Përmirësimi i cilësisë, mbulimit dhe aksesueshmërisë së infrastrukturës dhe shërbimeve vendore.
Forcimi i rolit të bashkive shqiptare si palë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian.
Çfarë do të bëjë EU4Municipalities?
EU4Municipalities II do të mbështesë bashkitë në:
- Përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike
- Forcimin e kapaciteteve administrative dhe teknike
- Avancimin e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në Kapitullin 22 (Politika Rajonale dhe Instrumentet Strukturore)
- Nxitjen e pjesëmarrjes qytetare, bashkëpunimit ndërbashkiak dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik vendor
Një komponent kyç i projektit do të jetë një skemë e re grantesh, e cila do të financojë investime të bashkive nga 100,000 deri në 300,000 euro, dhe deri në 500,000 euro për projekte të bashkëpunimit ndërbashkiak, në fusha që kontribuojnë në zhvillimin vendor të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Programi parashikon gjithashtu ofrimin e asistencës teknike, aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e mjeteve digjitale, për të mbështetur bashkitë në aksesimin e fondeve të BE-së dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve.
