Pyetje të shpeshta
1. A duhet dërguar edhe Koncept-Idea edhe Aplikimi i Plotë njëherësh në thirrjen e dytë të skemës së Granteve të BE për Bashkitë?
Po, në thirrjen e dytë të skemës së Granteve të projektit BEpërBashkitë, aplikantët duhet të dërgojnë njëkohësisht koncept idene dhe aplikimin e plotë, së bashku me dokumentet mbështetëse të përcaktuara në Seksionin nr. 2.2. të Udhëzuesit për Aplikantët.
2. A duhen dërguar të gjithë dokumentat mbështetës në këtë fazë?
Po, të gjithë dokumentat mbështetës duhen dërguar që në këtë fazë. Seksioni 2.2 i Udhëzuesit për Aplikantët përcakton të gjithë dokumentacionin që duhet dërguar dhe mënyrën e aplikimit.
3. A duhet që projekti i propozuar të bazohet në një dokument strategjik të Bashkisë? Nëse bashkia nuk ka një dokument strategjik të hartuar, a mund të bazohet propozimi tek dokumentet e tjerë të planeve të veprimit?
Projekt propozimi duhet të reflektojë nevoja reale të komunitetit të bashkisë dhe duhet të jetë pjesë e dokumentave strategjike apo prioriteteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak. Në këto dokumente strategjike mund te përfshihen dokumentet e Planit të Përgjithshëm Vendor, Strategjia e Zhvillimit, Plani i Investimeve Kapitale, Strategji apo Plane Veprimi Sektoriale, Programi Buxhetor Afatmesëm, e të tjerë dokumente qe shprehin qartë orientimet strategjike dhe fushat prioritare të veprimit të bashkive.
4. A mund të jenë bashkëfinancues donatorë të tjerë?
Po, bashkëfinancimi mund të vijë nga fondet e veta të bashkisë, nga qeveria qendrore dhe çdo donator tjetër përveç Bashkimit Evropian.
5. Për verifikimin e dokumentit të shpenzimeve kapitale të realizuara në 2021 a duhet të dërgohen dokumenta mbështetës?
Po, duhet të paraqiten dokumente mbështetëse për verifikimin e kriterit të nivelit të realizimit të shpenzimeve kapitale, sipas përcaktimeve në seksionin 2.2.1. të Udhëzuesit për aplikantët (Guidelines for Grant Applicants). Lista e dokumenteve mbështetës përcaktohet edhe në Shtojcën F. Dokumentet mbështetës janë Buxheti Fillestar i miratuar në Këshillin Bashkiak, për vitin 2021 për të konfirmuar planin fillestar të investimeve; Raporti i Monitorimit të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2021 i përgatitur për Këshillin Bashkiak dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për të konfirmuar nivelin e shpenzimeve faktike për investimet kapitale; si dhe Akt-Rakordimet Vjetore me Degën e Thesarit për të konfirmuar nivelin e shpenzimeve faktike për investime kapitale. Aplikanti kryesor, në bazë të Akt-Rakordimeve me thesarin duhet të përgatisë edhe një përmbledhje në formë tabele, të shpenzimeve për investime kapitale të bashkisë dhe njësive të saj shpenzuese.
6. A vlejnë konsultimet publike si provë që projekti është diskutuar me qytetarët e bashkisë? A duhen bashkangjitur në aplikim dhe a shikohet si vlerë e shtuar e projektit?
Po, vlejnë. Dokumentat mbështetës duhet të dërgohen sipas përcaktimeve në seksionin 2.2.1, të udhëzuesit për aplikantët.
7. Realizimi i buxhetit të bashkisë në masën 70% i referohet të gjithë buxhetit në tërësi apo vetëm një zëri specifik të buxhetit?
Në seksionin 2.1.1. Kriteret e lejueshmërisë, të udhëzuesit për aplikantët, specifikohet se aplikanti kryesor duhet të ketë shpenzuar 70% osë më shumë të investimeve kapitale të buxhetit te vitit 2021. Në këtë kuadër, kriteri i referohet nivelit të realizimit të investimeve kapitale të bashkisë. Në Shtojcën F, jepen sqarime të mëtejshme mbi përkufizimet.
8. Niveli i bashkëfinancimit ndërmjet 10% dhe 30% mund të zgjidhet nga vetë aplikuesi?
Vlera e bashkëfinancimit përcaktohet nga aplikanti. Niveli i bashkëfinacimit duhet të jetë brenda kufijve 10% – 30% të vlerës totale të buxhetit.
9. A mund të mbulohet bashkëfinancimi nëpërmjet pagave?
Po, bashkëfinacimi mund të mbulohet nëpërmjet pagave, me kushtin që pagat e nëpunësve civilë të bashkisë të mos e tejkalojnë 10% të vlerës totale të buxhetit.
10. A mundet Aplikuesi të kontribuojë me bashkëfinancim më të madh se 30%?
Jo, bashkëfinancimi nuk mund të jetë më shumë se 30% e vlerës totale të buxhetit.
11. Të gjitha veprimet e tenderimit duhet të kryhen nëpërmjet procedurave të prokurimit publik?
Po, bashkia përfituese duhet të ndjekë rregullat e prokurimit publik sipas ligjit “Për Prokurimin Publik” në Republikën e Shqipërisë.
12. Masa e bashkëfinancimit a ndikon në vlerësimin e projekt propozimit?
Masa e bashkëfinacimi është kriter lejueshmërie, vlera e bashkefinacimit varion nga 10 – 30% të totalit të kostove të lejueshme. Vlerësimi kryhet sipas kritereve të përcaktuara në seksionin 2.3. të udhëzuesit për aplikantët.
13. A janë tarifat bankare kosto të lejueshme në këtë thirrje ?
Kostot bankare të hapjes dhe mirëmbajtjes së llogarive bankare janë kosto të lejuara, ndërsa komisionet për transfertat bankare nuk njihen si shpenzim i lejuar.
14. Individët mund të jenë bashkë-aplikantë në këtë thirrje ?
Jo. Bashkëaplikantë mund të jetë një Bashki tjetër apo një Organizatë e Shoqërisë Civile, sipas përkufizimeve në seksionin 2.1.1 të Udhëzuesit për aplikantët.
15. A mund të vendoset TVSh si bashkëfinancim?
TVSh është kosto e palejueshme, si rrjedhim nuk mund të vendoset si bashkëfinancim.
16. Kushti 70% i realizueshmërisë së buxhetit të investimeve është kusht edhe për bashkë-aplikantët?
Ky kusht vlen vetëm për aplikantët kryesorë dhe jo për bashkë-aplikantët.
17. Çfarë nënkuptojmë me “raport të shkrutër dhe listën e aktiviteteve te realizuara në kuadër të integrimit europian?
Raporti i cili duhet të paraqesë në mënyrë të shkurtuar një listë dhe përshkrim aktivitetesh të kryera nga bashkia, (me links dhe referenca, ku është e mundur) në kuadër të promovimit të integrimit dhe vlerave të BE-së. Mund të raportohen edhe projekte të realizuara me financim nga BE, aktivitetet e kryera nga Njësitë e Integrimit Evropian të Bashkive, etj., sipas përcaktimeve në seksionin 2.2.1. të Udhëzuesit për aplikantët.
18. A ka një format të caktuar për të paraqitur raportin e shkrutër dhe listën e aktiviteteve te realizuara në kuadër të integrimit europian?
Jo, nuk ka një format të caktuar për hartimin e këtij raporti. Aplikuesi mund ti paraqesë këtë raport në një format të lirë.
19. Në rast se bashkia është aplikant i thjeshtë (jo leader) a duhet të plotesojë kriterin e 70% te realizimit te investimeve kapitale per vitin 2021?
Jo, ky kriter vlen vetëm për aplikantin kryesor (lead applicant), sipas përkufizimit të specifikuar në seksionin 2.1.1 të Udhëzuesit për aplikantët dhe Shtojcën F.
20. A ndikon në vlerësimin e projektit pasja ose jo e një bashkë-aplikanti? Për të patur një vleresim më të lartë është më mirë të aplikojmë vetëm apo me bashkë-aplikant?
Jo, nuk ndikon në pikësim dhe vlerësimin e propozimit aplikimi vetëm apo me bashkë-aplikant. Rregullat dhe kriteret e vlerësimit dhe përzgjedhjes së aplikimeve përcaktohen në Seksionin 2.3 të Udhëzuesit për aplikantët.