Nga Agron Haxhimali, Drejtor i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë

Nisur nga zhvillimet dinamike në qeverisjen vendore në Shqipëri, vecanërisht vitet e fundit, projekti “BE për Bashkitë” vjen me qëllimin dhe mjetet e duhura për të asistuar bashkitë në kapërcimin e sfidave të tyre të përditshme.

Qëllimi i projektit për mbështetjen e potencialit zhvillimor të bashkive dhe përmirësimit të kushteve socio-ekonomike dhe mjedisore të komuniteteve lokale në Shqipëri, është një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe efikase e nevojave të bashkive tona për zhvillimin e infrastrukturës vendore duke mundësuar shërbime publike më cilësore dhe zhvillim ekonomik vendor të qëndrueshëm.

Shoqata e Bashkive fton bashkitë të jenë sa më aktive gjatë zbatimit të projektit, duke shfrytëzuar mundësitë që ai ofron jo vetëm gjatë dy thirrjeve për grante por dhe gjatë aktiviteteve që lidhen me zhvillimin e kapaciteteve të punonjësve bashkiakë në përthithjen e fondeve dhe realizimin e projekteve.

Gjithashtu, ne shpresojmë që projekt propozimet e pregatitura nga bashkitë të reflektojnë nevojat reale të komunitetit të bashkive dhe të jenë pjesë e dokumentave strategjike apo prioriteteve të miratuara si Plani i Përgjithshëm Vendor, Strategjia e Zhvillimit të Bashkisë etj.

Delegacioni i BE-së dhe taksapaguesve evropiane kanë krijuar mundësinë e financimit të bashkive shqiptare nëpërmjet një skeme grantesh dedikuar investimeve nga bashkitë në dobi të komuniteteve lokale.

Partneriteti i cili po zbaton këtë projekt, udhëhequr nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale për Europën Juglindore, ka në përbërjen e tij aktorët e duhur që njohin realitetin dhe nevojat e pushtetit vendor dhe kanë aftësinë t’i adresojnë këto nevoja.

Pin It on Pinterest