Bashkia Fushë-Arrëz ka përcaktuar si prioritete kryesore përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe zhvillimin e turizmit natyror. E gjendur në një terren malor dhe e banuar nga njerëz punëtorë, kjo bashki ka përjetuar vështirësi në ofrimin e shërbimeve sociale për grupet e margjinalizuara. Megjithatë, një projekt i ri, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në këtë drejtim.
Bashkia Fushë-Arrëz, me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian, ka zbatuar projektin “Njësia për Vlerësimin e Nevojave dhe Referimin e Çështjeve (NECRU) – shërbim për komunitetin”. Ky projekt kishte për qëllim krijimin e një ambienti të përshtatshëm ku mund të ofrohen shërbime sociale për të gjithë qytetarët, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.
Një nga arritjet më të rëndësishme të këtij projekti ka qenë rikonstruktimi i një godine për ngritjen e Qendrës Multifunksionale. Kjo qendër është konceptuar si një hapësirë e cila do të shërbejë për ofrimin e një sërë shërbimesh sociale dhe aktivitete për komunitetin lokal.
Për realizimin e projektit NECRU, Bashkia Fushë-Arrëz kishte në dispozicion një buxhet të përgjithshëm prej 55,270 euro, nga të cilat 49,250 euro, kontribut i Bashkimit Evropian. Ky financim ka mundësuar rikonstruksionin e godinës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për funksionimin e Qendrës Multifunksionale.
Projekti NECRU përbën një hap të madh përpara në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe ofrimin e shërbimeve sociale në Bashkinë Fushë-Arrëz.
Ky projekt jo vetëm që adreson nevojat e grupimeve të margjinalizuara, por gjithashtu kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë banorët e kësaj zone malore.
“Ngritja e Qendrës Multifunksonale i ka dhënë jetë ngritjes së gjashtë shërbimeve sociale të munguara në Bashkinë Fushë-Arrëz, për të gjithë shtresat sociale në nevojë. Bashkia Fushë-Arrëz ka prioritet absolut shtresat sociale të margjinalizuara nëpërmjet programeve që nxisin gjithëpërfshirjen e tyre në shoqëri dhe ofrimin e shërbimeve nëpërmjet aktiviteteve sociale – kultorore. Falenderojmë Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe Ekipin e ‘BE për Bashkitë’”, shprehet Kryetar i Bashkisë së Fushë-Arrëzit Hil Curri.
Projekti “Njësia për Vlerësimin e Nevojave dhe Referimin e Çështjeve (NECRU)” ia arriti qëllimit të tij kryesor për ofrimin e shërbimeve të përmirësuara bashkiake për të gjitha shtresat sociale në nevojë, përfshirë fëmijët, të rinjtë, gratë dhe vajzat, personat me aftësi të kufizuara dhe moshën e tretë. Projekti ka arritur të ofrojë shërbime për rreth 60 persona nga grupet e margjinalizuara, duke përfshirë: 30 persona me aftësi të kufizuara, 10 persona me të ardhura të ulëta ekonomike dhe 20 persona me nevoja të veçanta. Një komponent kyç i projektit ishte trajnimi dhe aftësimi i pesë personave nga Sektori i Kujdesit Social dhe nga një person prej secilës Njësi Administrative. Një punonjës social u punësua gjithashtu në Bashkinë Fushë-Arrëz për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për këto grupe. U organizuan gjithashtu aktivitete të komunikimit dhe vizibilitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohjen e shërbimeve të reja të ofruara. Gjatë Forumit të Qeverisjes Vendore të mbajtur më 13 Tetor 2023 në Tiranë, kreu i Bashkisë Fushë-Arrëz, Curri, tregoi mbi nevojën për zbatimin e më shumë projekteve të tilla të mbështetura nga Bashkimi Evropian. Ai theksoi rëndësinë e rritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve për të shkruar dhe zbatuar projekte, duke theksuar se të gjitha bashkive të Shqipërisë u nevojitet kjo asistencë për të përmirësuar shërbimet për qytetarët e tyre.
Ndërsa nevoja për projekte të ngjashme vazhdon, mbështetja nga Bashkimi Evropian dhe fuqizimi i kapaciteteve vendore do të jenë thelbësore për të ardhmen e zhvillimit social në Shqipëri.