nga Kelmend Zajazi, Drejtor Ekzekutiv i NALAS

Cilësia e jetesës e perceptuar nga çdo qytetar në zonat urbane dhe ato rurale, përcaktohet përgjithësisht nga cilësia e shërbimeve publike, infrastruktura publike si dhe hapësirat publike  të krijuara dhe të menaxhuara nga bashkitë. Për NALAS, projekti “BE për Bashkitë” përbën një model të një përpjekjeje të përbashkët nga BE-ja dhe Shoqatat e Qeverisjes Vendore, për t’u angazhuar në mënyrë të shpejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike si dhe sjelljes së standardeve të BE-së më pranë qytetarëve në mënyrë që ata t’i përjetojnë ato në jetën e tyre të përditshme. Njësitë e Qeverisjes Vendore në të gjithë Bashkimin Evropian kanë qenë motorët për të modernizuar ofrimin e shërbimeve publike dhe për të sjellë rritjen ekonomike në komunitetet e tyre në mënyrë, nëpërmjet përdorimit të mbështetjes financiare të BE-së.

Ka një arsye pse mbështetja nga BE-ja është kaq e nevojshme dhe në kohën e duhur për Shqipërinë. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, Njësitë e Qeverisjes Vendore në Shqipëri dhe në Evropën Jug-Lindore, janë përballur me sfida dhe mundësi të rëndësishme. Nga njëra anë, ekzistojnë kërkesa dhe nevoja në rritje nga qytetarët për infrastrukturë dhe shërbime më të mira. Nga anën tjetër, studimet tona tregojnë që Njësitë e Qeverisjes Vendore në rajon mbeten përgjithësisht të pafinancuara siç duhet dhe atyre nuk u jepet pjesa e duhur nga burimet e financimit publik në dispozicion[1]. Po kështu, niveli i autonomisë fiskale vendore ka ardhur duke u ulur, shoqëruar me një ngadalësim të përgjithshëm të reformave financiare të qeverisjes vendore. Pandemia globale e COVID-19, ka të ngjarë të ketë efekte afat-gjata tek kostot dhe të ardhurat e qeverisjes vendore. Nëse nuk krijohet ndryshim nëpërmjet masave shtesë të politikave, kjo tendencë mund të vazhdojë dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore në Evropën Jug-Lindore mund të humbasin deri në 30% të të ardhurave të tyre, krahasuar me vitin para-pandemik 2019.[2] E thënë shkurt, aftësia e qeverisjeve vendore për të përmbushur detyrimet e tyre dhe për të krijuar mundësi më të mira për komunitetet e tyre për një jetesë më të mirë, pengohet seriozisht nga burimet e pamjaftueshme financiare.

Në nivel rajonal, vihet re një disnivel në rritje, për sa i përket infrastrukturës dhe shërbimeve, ndërmjet vendeve fqinje, në veçanti ndërmjet vendeve kandidate për t’u futur në BE dhe vendeve anëtare të BE-së. Ky disnivel në rritje, ka nevojë të trajtohet, për arsye se përbën një faktor themelor si për një zhvillim dhe integrim të balancuar territorial, ashtu dhe në lidhje me kohezionin social. Ne kemi kënaqësinë të konstatojmë një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga ana e BE-së, ndaj qeverisjeve vendore në Evropën Jug-Lindore. Ky është një element thelbësor për të trajtuar disnivelin në rritje ndërmjet nevojave dhe mundësive, dhe në të njëjtën kohë, për të përmirësuar perspektivat jetësore të qytetarëve të rajoneve të Evropës Jug-Lindore nëpër komunitetet e tyre, duke i dhënë përgjigje në këtë mënyrë edhe fenomenit të “largimit të trurit” nga këto rajone.

Nga kjo perspektivë, Skema e Granteve të Projektit “BE për Bashkitë”, mbart një rëndësi të madhe për qeverisjen vendore në Shqipëri. Skema i përgjigjet shumicës së nevojave direkte të komuniteteve lokale dhe qeverisë vendore në Shqipëri. Grantet e dhëna do t’i ndihmojnë bashkitë për të implementuar projektet e tyre specifike nga planet e tyre të zhvillimit strategjik, për të përmirësuar infrastrukturën lokale të sektorit publik dhe për të përmirësuar në këtë mënyrë dhe aksesin ndaj shërbimeve cilësore publike në nivel vendor. I parë në aspektin afat-gjatë, projekti do të kontribuojë për të fuqizuar kapacitetet e bashkive për të thithur dhe menaxhuar financimet nga BE-ja. Ngritja e kapaciteteve të bashkive ka një rëndësi thelbësore në kuadrin e procesit të integrimit në BE, duke patur parasysh natyrën konkurruese të financimeve. Ato bashki që do të jenë të suksesshme në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre lokale në lidhje me përfitimin dhe menaxhimin   e financimeve nga BE-ja, do të jenë në gjendje të jenë më të suksesshme për t’i aksesuar financimet duke përmirësuar në këtë mënyrë infrastrukturën dhe shërbimet vendore dhe në këtë mënyrë edhe perspektivat jetësore të qytetarëve të tyre.

Ne, tek NALAS, jemi shumë krenarë për angazhimin tonë për zbatimin e Skemës së Granteve të “BE për Bashkitë”, në bashkëpunim me anëtarët tanë në Shqipëri, Shoqatën për Autonomisë Vendore dhe Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, së bashku me partnerët tanë Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe ECOPartners për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Ne i përgëzojmë bashkitë shqiptare për aplikimet e paraqitura prej tyre. Ekipi ynë i projektit po vazhdon me vlerësimin e propozimeve që po kryhen nga një grup i pavarur vlerësuesish profesionistë, i cili ka në përbërje ekspertë nga rajonet e Evropës Jug-Lindore.

Përfitoj nga kjo mundësi për të ndarë me ju lajmin që së shpejti ne do të lançojmë thirrjen e dytë për aplikime, për grante investimesh për bashkitë me vlerë deri në 50.000 EUR.

[1] Shih Raporti per Decentralizimin fiskal NALAS , Edicioni i Tetë, Qershor 2021

[2] Shih Anketimi NALAS: Qeverisjet Vendore në Europën Jug-Lindore në Rekuperimin Socio-Ekonomik Post COVID-19

Pin It on Pinterest