Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje të veçantë për fuqizimin e pushtetit vendor në Shqipëri përmes përmirësimit të kushteve sociale, ekonomike dhe mjedisore. Një shembull konkret i kësaj mbështetjeje është Bashkia e Skraparit, e cila ka përfituar nga skema e granteve “BE për Bashkitë” për të realizuar një investim të rëndësishëm në ndërtimin e një mjedisi sportiv në shkollën “Zylyftar Veleshnja”. Ky investim jo vetëm që përmirëson infrastrukturën arsimore, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin e komunitetit lokal. Ndërtimi i mjedisit sportiv në shkollën “Zylyftar Veleshnja” sjell përmirësim të ndjeshëm në kushtet arsimore të nxënësve. Me anë të këtij projekti, nxënësit tani kanë qasje në një hapësirë moderne dhe të pajisur mirë për aktivitete sportive, gjë që ndikon pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Aktivitetet fizike janë të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve, dhe ky investim ndihmon në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe stimulues për të zhvilluar aftësitë e tyre fizike dhe sociale.
Për realizimin e këtij investimi, buxheti i përgjithshëm i përdorur është 55.550 euro, nga të cilat 50.000 euro është kontribut i Bashkimit Evropian.
725 të rinj dhe talentet e reja në sport janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga ndërtimi i mjedisit sportiv në shkollën “Zylyftar Veleshnja”. Hapësira e re për veprimtari sportive dhe edukative, së bashku me krijimin e akademisë sportive dhe hapjen e një qendre komunitare janë rezultate të prekshme dhe të shumëpritura nga të rinjë e Shkraparit.
Bashkia e Skraparit e ka mirëpritur investimin për ndërtimin dhe funksionimin e ambientit sportiv, që për kryetarin Adriatik Mema ka qenë një ndër prioritetet e punës të instiucionit që drejton.
“Projekte të tilla i shërbejnë jo vetëm rritjes së cilësisë së mësimdhënies së lëndës së edukimit fizik, por edhe një mundësi më shumë për t’u përdorur nga nxënësit dhe të rinjtë, duke i dhënë asaj një profil komunitar. Gjej rastin të falënderoj projektin “BE për Bashkitë” për financimin e këtij projekti modest por domethënës, kjo edhe në këndvështrimin e vendosjes së një raporti bashkëpunimi midis projektit ‘BE për Bashkitë’ dhe Bashkisë Skrapar”, thotë krybashkiaku i Skraparit Adriatik Mema.
Mjedisi i ri i ndërtuar në shkollën “Zylyftar Veleshnja”, ka qëllim të promovojnë sportin e basketbollit. Kjo hapësirë sportive është në dispozicion të nxënësve, por gjithshtu shërben edhe si qendër komunitare për të rinjtë e lagjes “Estref Caka”.
Zbatimi i këtij investimi pati si objektiv përmirësimin e aftësive dhe shërbimeve për përfshirjen e nxënësve dhe të rinjve në aktivitetet sportive për një jetë më të shëndetshme në Bashkinë Skrapar.