Në ambientet e reja të serës edukative, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Kosova” morën pjesë në workshopin e parë “Sesion edukues për nxënesit dhe mësuesit e fushës mbi mbjelljen e frutave dhe perimeve”.
Aktiviteti u zhvillua nga Bashkia e Tiranës si pjesë e projektit “Kopshtarët e vegjël” në kuadër “BE për Bashkitë”. Ekspertë të fushës së agronomisë u demostruan vogëlushëve procesin e mbjelljes së bimëve dhe ndanë me ta informacionet e nevojshme mbi serën dhe mjedisin.
Kjo veprimtari që u ndoq nga afër nga ekipi i “BE për Bashkitë” organizohet në prag të ceremonisë së inagurimit të Serës Edukative në tarracën e shkollës “Kosova”, ngritja e të cilës u mundësua falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.
EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.