Nevojat dhe përparësitë e zhvillimit lokal në Bashkinë Gjirokastër ishin në fokus të bisedës gjatë takimit me z. Flamur Golemi, kryetar i kësaj bashkie. Më tej, e njohëm me qëllimin e projektit BE për Bashkitë përmes të cilit do të mbështesim zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve sociale dhe ekonomike të komuniteteve lokale në Shqipëri.
Gjithashtu, së bashku me z. Orlando Fusco nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ekipin e projektit “Bashkitë për në Evropë” zhvilluam takime edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Gjirokastër. Me ta diskutuam për rolin që do të kenë organizatat lokale gjatë zbatimit të këtij projekti, në mbështetjen e bashkive për proceset e zhvillimit të shërbimeve publike dhe përmirësimit të jetesës në komunitet përmes granteve të BE-së.