Nga Adelina Farrici, Drejtore e Shoqatës Për Autonominë Vendore

Bashkitë, si një nivel qeverisje shërbimesh më pranë qytetarëve, përballen me sfida shumë të mëdha në drejtim të menaxhimit të një territori të gjerë, me më shumë kompetenca dhe me financa të kufizuara. Për realizimin me standarte të funksioneve të tyre, bashkitë kanë nevojë për mbështetje nga donatorë dhe partnerë.

Shoqata për Autonomi Vendore si përfaqësuese e bashkive, falenderon projektin “BE për Bashkitë”, projekt i cili është shumë i rëndësishëm në situatën aktuale të qeverisjes lokale. Si anëtare e asociuar në NALAS,  shoqata është pjesë e procesit që nga fillimi i projektit duke sjellë zërin dhe nevojat e bashkive në çdo fazë të tij.

“BE për Bashkitë” ndryshe nga projektet e tjera, përveç rritjes së kapaciteteve në drejtim të hartimit dhe implementimit të projekteve të BE-së, ka edhe komponentin e dhënies së granteve direkte dhe konkrete e cila vjen si një vlerë e shtuar për bashkitë.

Shqipëria është në një proces integrimi dhe bashkitë si të përfshira drejtpërdrejt në këtë proces, janë vënë përballë sfidave edhe më të mëdha në drejtim të investimeve, transparencës dhe demokracisë lokale, përmbushjes së standarteve të shërbimeve, duke patur rolin e një aktori të rëndësishëm në proces.

Sfidat e shumta kanë nevojë për mbështetje dhe ky projekt luan një rol të rëndësishëm në mënyrë që bashkitë të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit.

Këtë projekt e vlerësoj si për komponentin e rritjes së kapaciteteve të bashkive, ashtu dhe si një ushtrim për të parë aftësitë e bashkive ne hartimin dhe implementimin e projekteve konkuruese me kriteret e BE-së në mënyrë që nesër bashkitë të jenë të afta të aplikojnë direkt në fonde të dedikuara për Shqipërinë.

Projekti është gjithëpërfshirës duke i dhënë në këtë mënyrë mundësinë edhe bashkive të vogla të hartojnë projekte konkuruese dhe që nëpërmjet grantit të kenë mundësi të rrisin standartin e shërbimeve aty ku nevojat janë më të mëdha dhe sidomos tani pas tërmetit dhe COVID-it.

Ajo që ne kemi kërkuar në vazhdimësi për kriteret e thirrjeve ka qënë që kriteret e vendosura të përzgjedhjes t’u krijonë mundësi të barabarta të gjitha bashkive dhe mendoj që mundësitë në këtë projekt janë të barabarta.

Përveç misionit që shoqata ka për të përfaqësuar zërin e bashkive me donatorët dhe me qeverisjen qEndrore, duke arritur shumë rezultate, së bashku me projektin “BE për Bashkitë” shtohen arritjet e shoqatës përmes mundësive që ofron ky projekt në të dyja thirrjet e tij.

Ne si shoqatë do të ndihmojmë dhe asistojmë bashkitë që kanë dhe do të kenë nevojë gjatë këtij proçesi në të gjitha fazat e tij, për të përmbushur suksesshëm kriteret e vendosura dhe për t’i hapur rrugën mundësisë për aplikime në grante të tjera.

Pin It on Pinterest