Buletini Informativ
Nga Adelina Farriçi, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore
Bashkimi Europian (BE) është një mbështetës i kahershëm i politikave nxitëse të decentralizmit, forcimit të qeverisjes vendore, si dhe fuqizimit të komuniteteve lokale në Shqipëri. Brenda këtij vizioni, projekti “BE për Bashkitë”, përmes mbështetjes financiare jetëson projekte novatore që kanë për qëllim zhvillimin e kapaciteteve të pushtetit vendor, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës publike, si dhe gjithëpërfshirjen e komuniteteve vendore.
Nisma e projektit ka nxitur të zhvillimin e kohezionit social në komunitet, forcimin e trashëgimnisë kulturore dhe cilësinë arsimore duke u gërshetuar në strukturën e projekteve lokale përmes mbështetjes së ideve novatore dhe nxitjes së kreativitetit.
Njëkohësisht, ka ndihmuar në fuqizimin e bashkive përmes shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit, duke ofruar një platformë për adaptimin e praktikave më të mira, nxënien nga sukseset e njëri-tjetrit dhe adresimin kolektiv të sfidave për të arritur në vendimmarrje efikase. Kjo frymë bashkëpunimi jo vetëm që forcon bashkitë e përfshira, por gjithashtu pasuron komunitetin dhe e afron atë më shumë me qasjen drejt perspektivës europiane.
Shoqata për Autonomi Vendore duke qënë pjesë e zbatimit të projektit, ka mbështetur dhe promovuar rolin kryesor që luan çdo bashki në këtë përpjekje për zhvillim komunitar. Çdo angazhim, nga një bashki e vogël apo e madhe, kontribuon në mozaikun e progresit. Duke përqafuar këto nisma, ne jo vetëm investojmë në lokalitetet tona, por gjithashtu kontribuojmë në një të ardhme të unifikuar dhe të qëndrueshme drejt integrimit Europian, ndaj është me rëndësi vazhdimësia e iniciativave të tilla!