Bashkia e Klosit, e vendosur pranë lumit Mat, është një zonë me një trashëgimi të pasur historike dhe natyrore. Një ndër atraksionet kryesore është Ura e Vashës, me histori qindravjeçare. Ndër monumentet e tjera të rëndësishme janë Kalaja e Petralbës dhe Kalaja ilire e Xibrit, që e bëjnë këtë bashki një destinacion tërheqës vetëm një orë larg kryeqytetit.
Rëndësinë e Klosit e rrit edhe rruga strategjike e Arbrit, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e zonës.
Bashkia e Klosit tërhoqi vëmendjen tonë pas prezantimit të propozimit të Projektit “Hapat e parë: Mbështetje për mjedisin, pjesëmarrjen dhe sportin në Bashkinë Klos”. Synimi i tij ishte ndërtimi i Këndit Komunitar të Lojrave, që u financua nga Bashkimi Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”.
Buxheti i përgjithshëm që iu vu në dispozicion Bashkisë Klos për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtëpërdrejtë në komunitet, ështe 53,392 euro, prej të cilave 47,260 euro është kontributi i Bashkimit Evropian.
Falë këtij projekti u ndërtua Këndi i ri Komunitar i Lojrave që i shërben rreth 390 fëmijëve, por edhe prindërve dhe gjyshërve të cilët sot janë përfituesit kryesorë të hapësirës së re në qytet. Lojrat e instaluara në hapësirën komunitare janë shoqëruar me masat e duhura të sigurisë për vogëlushët.
Gjatë zbatimit të projektit Bashkia organizoi një seri me aktivitete edukative me fëmijët kushtuar mbrojtjes së mjedisit, menaxhimit të mbetjeve, duke u informuar rreth vlerave që Bashkimi Evropian promovon.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, thekson se prioriteti kryesor është mirëqenia dhe lumturia e fëmijëve. Ajo shpreh mirënjohjen për mbështetjen financiare dhe eksperiencën e ndarë nga BE-ja, që ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të Bashkisë.
“Falë bashkëpunimit me projektin “BE për Bashkitë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe pa e prekur buxhetin e Bashkisë, kemi mundur që të ndërtojmë një ambient argëtues për fëmijët. Ndjehem pafund e lumtur dhe mirënjohëse që BE-ja me programet e saj ka ardhur në Klosin tonë, jo vetëm duke na mbështetur financiarisht por edhe duke na dhënë nga eksperienca e tyre për ngritjen e kapaciteteve, në kuadër të integrimit në BE”, thotë kryebashkiakja Kola.
Bashkia Klos vlerëson kontributin dhe ndihmën financiare nga Bashkimi Evopian dhe e konsideron me shumë rëndësi vijimin e bashkëpunimit, me qëllim përmirësimin e jetesës deri në zonat më të thella të Klosit.
Aurela Burreli, Specialiste e Integrimit Evropian dhe Ndihmës së Huaj në Bashki vlerëson ndikimin pozitiv të projektit në komunitet. Ajo shprehet se falë projektit “BE për Bashkitë”, qyteti tanimë ka një vend ku fëmijët mund të argëtohen, dhe nënat të kalojnë një pasdite të qetë. Por, jo vetëm kaq! Ajo e vë theksin tek rëndësia që ky projekt pati tek formimi profesional i saj dhe i kolegëve.
“Ekipi i “BE për Bashkitë” na ka mbështetur në çdo hap të implementimit të projektit me anë të trajnimeve, aq shumë të domosdoshme, që do na shërbejnë edhe me projektet në vazhdimësi”, tregon ajo.
Projekti “Hapat e parë: Mbështetje për mjedisin, pjesëmarrjen dhe sportin në Bashkinë Klos” ka pasuruar jetën e komunitetit të Klosit, duke krijuar një hapësirë të re dhe të sigurt për argëtim dhe edukim, si dhe duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e menaxhimit të përbashkët të burimeve dhe hapësirave publike.
EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.