Katër takime informuese me bashkitë, prezantohet thirrja e parë për grante

Ekipi i projektit “BE për Bashkitë” prezantoi thirrjen e parë të aplikimit për grante investimesh në katër takimet informuese të zhvilluara në Shkodër, Vlorë, Pogradec dhe Tiranë. Përfaqësuesit e 61 bashkive shqiptare të rajonit verior, jugor, juglindor dhe qendror u njohën me fushat prioritare dhe kriteret e aplikimit në thirrjen e parë të skemës së granteve, e hapur për të gjitha bashkitë deri më 17 janar 2022.

Përfaqësuesi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Orlando Fusco, gjatë fjalës së tij në hapjen e takimit të parë informues në Shkodër, nënvizoi rolin dhe rëndësinë që ka pushteti lokal për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai u bëri thirrje bashkive të aplikojnë me projekte që pasqyrojnë problemet dhe nevojat reale të komuniteteve lokale.

“Bashkitë duhet të konsultohen me komunitetet lokale dhe të pasqyrojnë nevojat e tyre në projekt propozime dhe është e rëndësishme të shohim projekte të realizueshme e të lidhura ngushtë me planet e zhvillimit strategjik të bashkive.”- u shpreh Fusco.

Takimi në Shkodër u përshëndet edhe nga kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e cila vlerësoi rëndësinë e mbështetjes financiare të BE-së përmes projektit më të ri “BE për Bashkitë”. Drejtuesi i Shoqatës së Bashkive Shqiptar, Agron Haxhimali, dhe drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Saimir Plaku, në fjalën e tyre inkurajuan bashkitë të përfitojnë nga kjo mundësi që do të nxisë potencialin zhvillimor të bashkive.

Ndërkohë, në takimin e dytë informues në Vlorë, kryetari Dritan Leli theksoi se: “Kjo garë e bashkive për grante do të na mësojë që të shtojmë mundësitë e marrjes së granteve të tjera nga Bashkimi Evropian në të ardhmen”. Në këtë takim, të pranishme ishin edhe Adelina Farrici, drejtuese e Shoqatës për Autonominë Vendore si dhe Aida Cacaj nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.

Takimi i tretë informues i organizuar në Pogradec, u përshëndet nga nënkryetarja e bashkisë, Entela Gusho, e cila tha se: “Kjo thirrje për grante investimesh është në dobi të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve vendore për të gjitha bashkitë shqiptare”.

Cikli i takimeve informuese u përmbyll në Tiranë me përfaqësuesit e bashkive të rajoni qendor. Nënkryetarja e Bashkia Tiranë, Anuela Ristani gjatë këtij takimi tha se: “Ne nuk e shmangim dot rëndësinë që kemi ndaj qytetarëve në të njëjtën formë ne nuk e shmangim përgjegjësinë kur jemi marrës të granteve ndaj qytetarëve për atë qëllim që jemi zotuar apo e kemi kërkuar”.

Katër takimet u ndoqën nga një prezantim i zv. Drejtueses së projektit, Entela Pinguli dhe menaxheres së granteve, Ogerta Gjiknuri, të cilat bënë një pasqyrë të përmbledhur të dokumentacionit përkatës, kritereve të lejueshmërisë dhe informacioneve relevante për procesin e aplikimit në thirrjen e parë të granteve. Kjo thirrje ka në fokus rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendore si dhe promovimin, mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

 

Lajme të ngjashme

Praktika të mira nga projekte të financuara nga BE

Praktika të mira nga projekte të financuara nga BE

Katalogu “Praktika të Mira” ka si qëllim të ofrojë shembuj të praktikave të mira në zbatimin me sukses të projekteve të financuara nga BE në vende të ndryshme të Evropës, si Kroaci, Mali i Zi, Serbia, Moldavia, Turqia, etj. Projektet e përfshira në katalog janë...

Lexo më shumë

Pin It on Pinterest