Tre investime për rininë u inauguruan në Bashkinë e Pukës. Me fondet e Bashkimit Evropian, përmes skemës së granteve “BEpërBashkitë”, u krijua Qendra e Inovacionit, që është shërbimi publik arsimor më i ri i Bashkisë dhe që shërben për ngritjen e kapaciteteve për përmirësimin e aftësive të sipërmarrjes dhe komunikimit (TIK) tek të rinjtë. Po ashtu, u rikonstruktua qendra sportive dhe u rinovua palestra e Shkollës “Migjeni”, ku do të marrin shërbime rreth 800 të rinj dhe fëmijë të bashkisë dhe njësive të saj administrative.
Përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Marie Augouy, Menaxhere Programi për Qeverisjen Rajonale dhe Lokale, përshëndeti pjesëmarrësit në aktivitetin e organizuar, duke vënë theksin në tek rëndësia që ka përgatitja e bashkive për të thithur fondet e BE-së, në kuadër të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë. “Bashkimi Evropian mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë bashkitë shqiptare përmes investimeve në infrastrukturë, por edhe përmes ngritjes së kapaciteteve, ku burimet njerëzore janë një zinxhir i rëndësishëm”, u shpreh Augouy.
Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj foli mbi rëndësinë e trajnimit të stafit bashkiak, ndërsa kërkoi mbështetjen në vijimësi nga Bashkimi Evropian me anë të investimeve, sidomos në kuadër të synimit për ta kthyer Pukën në një destinacion të mirëfilltë turistik.
Duke iu referuar investimit të BE-së prej rreth 200 mijë euro në Bashkinë e Pukës, Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore tha se “vizioni i Bashkisë Pukë, vizioni në lidership, vizioni si i administratës paraardhëse dhe ai i administratës aktuale, është që të investohet tek rinia për të ardhmen e vendit. Dhe, i gjithë ky investim me donator BE-në është bërë falë këtij vizioni,” – u shpreh Farrici.
Elton Stafa, Drejtor i skemës së granteve “BEpërBashkitë” theksoi rëndësinë e ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve në nivel vendor, pavarësisht sfidave. Ndërsa duke iu drejtuar të rinjve pukjanë u shpreh se vlerësimi më i madh për programin “BEpërBashkitë” është kur shikon nga afër sesa të dobishme janë këto investime për të rinjtë dhe komunitetin në përgjithësi.
Projekti “Bashkia për të rinjtë” synon rritjen e aftësive të të rinjve në sipërmarrje, sporte dhe komunikim.