Transformimi i gjelbër i ndërtesave publike, nisi në shkolën “Kosova”në Tiranë, ku u inaugurua tarraca e parë e gjelbër.
Me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”, Bashkia e Tiranës realizoi instalimin e tarracës së gjelbër dhe të një sere edukative. Ky projekt është i pari i këtij lloji dhe sipas zyrtarëve të Bashkisë, synohet të realizohet edhe në shkolla të tjera publike.
649 fëmijë të shkollës “Kosova” dhe anëtarë të komunitetit do ta mirëmbajnë “Tarracën e Gjelbër” dhe do ta përdorin në funksion të projekteve hulumtuese dhe aktiviteteve shkollore.
Me zbatimin e projektit “Kopshtarët e Vegjël”, nxënësit e shkollës “Kosova” sot janë më të informuar mbi mbrojtjen e mjedisit dhe jetesën e shëndetshme në harmoni me natyrën.
“Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë Bashkitë Shqiptare me 10 milion euro, përmes një faze të dytë të projektit “BE për Bashkitë””, u shpreh gjatë ceremonisë përuruese Marie Augouy, Menaxhere Programi për Qeverisjen Rajonale dhe Lokale e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.