Nëpërmjet projektit “BE për Bashkitë”, Bashkimi Evropian ka rritur mbështetjen e financiare për 61 bashkitë shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve lokale, mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e të rinjve dhe komuniteteve vendore. Në aktivitetin e organizuar në Tiranë për shpalljen e thirrjes së dytë të skemës së dytë të granteve të projektit “BE për Bashkitë” u theksua se mbi 1/3 e bashkive do të marrin mbështetje konkrete nëpërmjet granteve për investime publike për t’iu përgjigjur nevojave prioritare të komuniteteve të tyre lokale.
Orlando Fusco, menaxher i programit në European Union in Albania, gjatë fjalës së tij hapëse tha se: “Fondet e BE-së mbulojnë të gjitha fushat e decentralizimit. BE ka rritur asistencën financiare dhe pothuajse çdo gjashtë muaj ka një thirrje për aplikime për grante për bashkitë e Shqipërisë. Thirrja e dytë për grante e BE për Bashkitë do të mbështesë 12-15 bashki, kjo është një mundësi për të përmirësuar përvojën, performancën dhe shërbimet tuaja ndaj komuniteteve”.
Aktivitetin e përshëndeti edhe znj. Adelina Farrici, Drejtore e Shoqatës për Autonominë Vendore, z. Agron Haxhimali, Drejtori i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe znj. Jolanda Trebicka, Drejtuese e projektit “Bashkitë për në Evropë”.
Përgjatë këtij takimi ekipi i projektit, Elton Stafa, Ogerta Gjiknuri dhe Entela Pinguli prezantuan kriteret, rregullat dhe procedurat e tjera të aplikimit në këtë thirrje.
“Ne inkurajojmë të gjitha bashkitë të aplikojnë për grante pasi kjo është një mënyrë për të rritur investimet e bashkisë për komunitetin dhe në të njëjtën kohë për forcimin e kapaciteteve, një element kyç për sukses në proceset konkuruese të granteve”, theksoi drejtuesi i projektit “BE për Bashkitë”, Elton Stafa.
Në kuadër të thirrjes së dytë do të zhvillohen tre takime të tjera informues në Lezhë, Vlorë, Elbasan me përfaqësuesit e bashkive për t’u njohur me kriteret dhe procedurat e aplikimit. Cikli i informues do të ndiqet nga trajnimet për shkrimin dhe menaxhimin e projekteve të BE-së.