Tirana përgjatë viteve të fundit ka përjetuar zhvillim të madh urbanistik dhe akritekturor. Vëmendje po i kushtohet mjedisit dhe ruajtjes së tij përmes politikave “green”.
Një “Tarracë e Gjelbër” si koncept kombinon elementet e një tarrace tradicionale të një godine, me përfshirjen e gjelbërimit, duke krijuar një zonë të jashtme tërheqëse, ekologjike dhe miqësore.
Transformimi i gjelbër i ndërtesave që menaxhohen nga Bashkia e Tiranës synon ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi mjedisin. Bazuar në këto politika edukative, në shkollën “Kosova” në Tiranë u instalua Tarraca e Gjelbër dhe u krijua Serra Edukative.
Për realizimin e projektit “Kopshtarët e vegjël”, u akordua një buxhet i përgjishëm prej 49.742.92 euro, nga të cilat 41.452.43 euro është kontribut i Bashkimit Evropian.
Tarraca e gjelbër është vënë në shërbim të nxënësve të shkollës, por edhe të anëtarëve të komunitetit. Serra edukative do të vihet në funksion të aktiviteteve shkollore, do të jetë në shërbim të mësuesve dhe në funksion të projekteve hulumtuese të shkollës.
Falë zbatimit të projektit “Kopshtarët e Vegjël” 649 fëmijë të shkollës dhe komunitetit janë sot më të informuar mbi mbrojtjen e mjedisit dhe jetesën e shëndetshme në harmoni me natyrën. Fëmijët morën pjesë në aktivitete ndërgjegjësuese dhe praktike për mbjelljen e bimëve dhe mirëmbajtjen e serrës.
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Kosova” Shkëndie Arapi është e bindur se projekti “Kopshtarët e vegjël”, është diçka e re, e bukur për nxënësit dhe mësuesit.
“Mbjellja e bimëve në serrë, kujdesi për rritjen e tyre, vëzhgimi i procesit që ndodh me to nga fillimi deri në fund, do të bëjë që nxënësit të ndihen si në një laborator. Tarraca do të jetë edhe në funksion të aktiviteteve të ndryshme të shkollës; do të jetë në shërbim të mësuesve kur ata kanë orë të lira, do të jetë në funksion të projekteve hulumtuese të nxënësve në funksion të përvetësimit të kurrikulës mësimore. Falenderojmë të gjithë bashkëpunuesit në këtë projekt kaq të bukur e të veçantë”, shprehet drejtroresha Shkëndie Arapi.
Zbatimi i këtij projekti synon edukimin e fëmijëve me njohuri të larmishme për bimët e natyrën dhe ndërgjegjësimin e tyre për mbrojtjen e mjedisit. Po ashtu, pati si qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës përmes shtimit të hapësirave të gjelbërta.
Mbrojtja e mjedisit përbën prioritet në politikat e Bashkimit Evropian dhe për rrjedhojë investimet do të vijojnë në mbështetje të projekteve zhvillimore të pushtetit lokal në Shqipëri.
“Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë bashkitë shqiptare me 10 milion euro, përmes një faze të dytë të projektit ‘BE për Bashkitë’”, u shpreh Marie Augouy, Menaxhere Programi për Qeverisjen Rajonale dhe Lokale e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri gjatë ceremonisë përuruese të projektit “Kopshtarët e Vegjël” në shkollën “Kosova”, Instalimi i një tarrace të gjelbërt në një shkollë publike është i pari i këtij lloji dhe sipas zyrtarëve të Bashkisë, synohet të realizohet edhe në shkolla të tjera publike.
“Arkitektura nuk është thjesht të ndërtosh, por është të krijosh një stil të ri jete. Ndaj jam e lumtur që falë mbështetjes së “BE për Bashkitë”, projekti “Kopshtarët e Vegjël” mori jetë! Qëllimi për të larguar fëmijët nga bota virtuale është më afër se kurrë. Nëpërmjet serrës edukative dhe tarracës së gjelbëruar, fëmijët do të mësojnë nga natyra duke mbjellë dhe duke u kujdesur se, vetëm përkujdesja dhe koha i bën frytet të lulëzojnë”, thotë Kristina Kozari, arkitekte pranë Bashkisë Tiranë. Projekti “Kopshtarët e vegjël” pati si objektiv përmirësimin e cilësisë së jetesës nëpërmjet shtimit të hapësirve të gjelbëra, afrimin e të rinjëve dhe qytetarëve më pranë natyrës nëpërmjet transformimit të gjelbërt të ndërtesave që menaxhohen nga Bashkia Tiranë. Projekti dha besimin se brezat e rinj po bëhen më të ndërgjegjshëm për shëndetin, më të informuar rreth aspekteve sociale dhe miqësorë me mjedisin.