Takimi i katërt i Komitetit Drejtues të projektit BE për Bashkitë

“BE për bashkitë” (EU4M), projekti i financuar me fondet e Bashkimit Evropian, zhvilloi takimin e katërt të Komitetit Drejtues, për të prezantuar përditësimin mbi zbatimin e projektit, si dhe prezantimin e projekt propozimeve të përzgjedhura në Thirrjen e Dytë për Propozime.

Disa nga pikat kryesore të prezantimit ishin sfidat me të cilat përballen bashkitë, përfshirë hapjen llogarive të dedikuara bankare, bashkëfinancimin dhe rimbursimin e TVSH-së, të cilat kërkojnë bashkëpunim nga institucionet e tjera qeveritare si Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), etj., për të lehtësuar proçesin.

Në fjalën e saj, znj. Marie Augouy, Menaxhere e Programit, njëherësh bashkëkryetare e Komitetit Drejtues dhe përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, përgëzoi progresin e Skemës së Granteve “BE për Bashkitë”, duke theksuar ndër të tjera rëndësinë e angazhimit të të rinjve të mbështetur nga Thirrja e Dytë e granteve. “Fuqizimi i të rinjve është një nga prioritetet e Delegacionit të BE-së në vitet e ardhshme, duke e konsideruar rininë, brezin e ardhshëm, një nga shtyllat e proçesit të anëtarësimit”, nënvizoi znj. Augouy.

Nga ana e saj, znj. Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore të Shqipërisë, theksoi rëndësinë e përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve të mbështetura nga Skema e Granteve të EU4M, në lidhje me shkrimin e propozimeve dhe aftësitë e zbatimit të projektit.

Gjatë takimit, udhëheqësi i Ekipit të “BE për Bashkitë” Z. Elton Stafa, bëri një prezantim të progresit të zbatimit të projektit deri në tetor 2022. Një fokus i veçantë iu kushtua prezantimit të projekt propozimeve të përzgjedhura për propozimet e plota të Thirrjes së Dytë. Sipas Z. Stafa, pagesat e para për bashkitë janë vonuar për shkak të kohës deri në hapjen e llogarive bankare, (2.5 muaj nga koha e kontraktimit). Vetëm katër bashki kanë arritur të hapin llogaritë bankare deri në këtë moment të zbatimit të projektit. Kjo, sipas tij, duhet të trajtohet nga autoritetet përkatëse. Ndërkohë pesë bashkitë fituese të thirrjes së parë, kanë dorëzuar deri më tani procedurat për marrjen e fondeve të bashkëfinancimit nga Qeveria Shqiptare. SASPAC po vijon punën me dokumentet dhe po bashkëpunon me ne në këtë proces – u shpreh Stafa.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Lokale, Arbër Skendri u shpreh se zgjedhjet e ardhshme të (ndoshta mesit të majit 2023) mund të ndërhyjnë në punën për përfundimin e investimit, kështu që projekti duhet të marrë masa paraprake lidhur me menaxhimin e rrezikut.

Jolanda Trebicka, udhëheqëse e ekipit të projektit ‘Bashkitë për Europën’ (MfE) foli mbi ecurinë e projektit në 3 vitet e fundit. Ndërkohë përfaqësuesja e SASPAC znj. Evelina Visoci shpjegoi funksionin e SASPAC në këtë proces dhe siguroi se do të bëhet çmos për të lehtësuar bashkëfinancimin dhe rimbursimin e TVSH-së për bashkitë përfituese të granteve.

Në këtë takim të katërt të Komitetit Drejtues u prezantuan 13 projekte të përzgjedhura, të cilat e çojnë numrin e granteve të EU4M në 19, duke përfshirë infrastrukturën dhe shërbimet publike lokale, zhvillimin ekonomik lokal, rininë, kulturën dhe sportin. 19 grantet përfaqësojnë një mbulim të mirë dhe të ekulibruar territorial me 1.1 milion në Thirrjen e Parë dhe 0.6 milionë në Thirrjen e Dytë.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest