Manuali “Si të përgatitësh një propozim projekti të suksesshëm me financimet e BE-së” vjen si një mjet shumë i rëndësishëm dhe referues për njësitë e integrimit evropian dhe koordinimit të ndihmës në të 61 bashkitë e vendit, stafet e bashkive por edhe aktorë të tjerë të interesuar për të përgatitur një propozim konkurrues dhe të suksesshëm në kuadrin e mundësive financiare që ofron Bashkimi Evropian.
Manuali është përgatitur nga ekspertë të Projektit “Bashkitë për në Evropë” duke u mbështetur në përvojën e Projektit “BE për Bashkitë”. Manuali përmban informacione për grantet e BE-së, përgatitjen e koncept notës, formatin e plotë të propozimit, bazuar në qasjen e PCM/Kornizës Logjike, si dhe përgatitjen e buxhetit hap pas hapi shoqëruar me shembuj. Ai përmban këshilla të vlefshme të përvojës së fituar nga bashkitë përfituese të fondeve të BE-se, dhe reflekton mbi temat e diskutuara gjatë trajnimeve specifike për shkrimin e një projekti të suksesshëm, në kuadër të Fondeve të BE-së, të targetuara në pesë vitet e fundit, nga projekti ‘Bashkitë për në Evropë’ si dhe projekti ‘BE për Bashkitë’.