E shtrirë përgjatë lumit Shkumbin, Rrogozhina ka një histori të pasur, me ndikime nga qytetërime të ndryshme, duke përfshirë romakët dhe osmanët. Por mbi të gjitha gjatë Ilir këtej kalonte rruga Egnatia, duke qenë një ndalesë e rëndësishme përgjatë rrugëve tregtare të kohës.
Bashkia e Rrogozhinës vijon të jetë edhe në ditët e sotme një nyje lidhëse e rëndësishme për qytetet e Shqipërisë.
Për përmirësimin e jetës së të rinjve dhe komunitetit, bashkia zbatoi së fundmi projektin “Fuqizimi i Udhëheqësve të ardhshëm”, duke rikonstruktuar dhe mobiluar Qendrën Rinore. Qëllimi kryesor i projektit është përfshirja aktive e të rinjve në jetën politike vendore dhe procesin e vendimmarrjes në nivel lokal.
“Hapja e një Qendre Rinore është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e komunitetit dhe angazhimin social të të rinjve. Kjo qëndër ofron një mjedis të sigurt dhe mbështetës ku të rinjtë mund të zhvillojnë aftësitë e tyre, të marrin pjesë në aktivitete kulturore, sportive dhe arsimore, si dhe të krijojnë lidhje të reja shoqërore. Ky projekt është një burim i vlefshëm për të gjithë komunitetin, duke nxitur një atmosferë pozitive dhe duke kontribuar në rritjen e mirëqenies së të rinjve”, thotë Aleks Xhavara anëtar i Këshillit Vendor Rinor.
Ambjentet e Qendrës Rinore sot i shërben veprimtarisë së 180 të rinjve, duke ofruar një hapësirë të sigurt dhe të pajisur mirë për aktivitete edukative dhe sociale.
“Qendra Rinore Multifunksionale ishte shumë e domosdoshme për bashkinë tonë. Falenderojmë “BE për Bashkitë” që bëri të mundur jetësimin e këtij projekti nga i cili përfituan të gjithë të rinjtë e Rrogozhinës dhe jo vetëm.”, shprehet Olsi Dranga, Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Bashkinë Rrogozhinë.
Endri Demarku, Kryetar i Këshillit Vendor Rinor tregon se Qendra Rinore është një ambient i domosdoshëm në komunitetin ku jeton. “Kjo qendër shërben si një urë lidhëse mes të rinjve dhe të gjithë komunitetit. Këtu të gjitha grupmoshat e reja mund të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe t’i përmirësojnë ato”.
Përgjatë zbatimit të projektit, 30 nxënës u trajnuan në aftësi të komunikimit, lidershipit dhe të menduarit kritik. Këto aftësi janë thelbësore për zhvillimin personal dhe profesional të tyre, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes. Qendra i shërben gjithashtu të rinjve me aftësi ndryshe, duke i integruar ata si pjesë integrale e komunitetit. Kjo përfshirje ndihmon në promovimin e barazisë dhe diversitetit.
Projekti për rikonstruksionin dhe mobilimin e Qendrës Rinore në Bashkinë e Rrogozhinës është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së të rinjve në këtë zonë. Me aktivitete të shumta edukative dhe sociale, dhe një fokus të veçantë në zhvillimin e aftësive të lidershipit, ky projekt ofron një platformë të fortë për përfshirjen aktive të të rinjve në jetën komunitare dhe vendimmarrëse.