Qendra Rinore Multifunksionale, një fillim i ri

Me të përmendur Lushnjen, shumëkush mendon për Kongresin e Lushnjes në të largëtin vit 1920, ku Tirana u shpall kryeqyteti i Shqipërisë. Për brezat më të rinj, Lushnja është vendlindja e këngëtares së madhe, “Artistes së Popullit” Vaçe Zela, aktores Margatita Xhepa apo shkrimtarit Vath Korreshi.

Për ne të “BE për Bashkitë”, Lushnja mund të quhet edhe qyteti i rinisë, i brezit të bukur, plot vullnet dhe dëshirë për t’u formuar, për të përvetësuar risitë, i atyre të rinjve që përpiqen dhe përmirësojnë talentet që mbartin dhe të etur për të qenë pjesëmarrës në nisma komunitare.

Të tillë janë të rinjtë që frekuentojnë Qendrën Rinore Multifunksionale, të rikonstruktuar rishtaz me financim të Bashkimit Evropian.

“Krijimi i Qendrës Rinore Multifuksionale Lushnjë ishte një kërkesë e kahershme e të gjithë të rinjve lushnjarë. Falë projektit “BE për Bashkitë , ata tashmë kanë ambientin ideal për të ndarë me njëri-tjetrin ide inovatore e projekte në shërbim të komunitetit, por edhe për të përfituar nga kurset e gjithë shërbimet falas të ofruara në qendër në funksion të zhvillimit të talenteve të tyre”. Kështu shprehet Kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, e cila së bashku me ekipin e saj ka ndjekur në çdo hap ecurinë e projektit “Çliro potencialin e të rinjve të Lushnjes”, qëllimi kryesor i të cilit ishte përmirësimi i shërbimeve bashkiake në mbështetje të fuqizimit të rinisë në bashkie.

Përmes skemës së granteve #BE për Bashkitë”, Bashkimi Evropian financoi 45.380.00 Euro, nga buxheti i përgjithshëm prej 50.423.00 Euro që i shërbeu Bashkisë për të kryer aktiviteve kushtuar rinisë, punimet reabilituese, mobilimin dhe pajisjen me kompjutera, instrumente muzikore dhe lojra për më sportivët.

“Falë mbështetjes së Ekipit “BE për Bashkitë” në çdo etapë të rrugëtimit tonë përgjatë zbatimit të projektit, jo vetëm arritëm t’u jepnim krahë ëndrrave e talenteve të të gjithë të rinjve tanë, në qytet e çdo njësi administrative në Bashkinë Lushnjë, por rritëm gjithashtu kapacitetet tona në fushën e menaxhimit dhe zbatimit të projekteve”, tregon Belisa Haxhiu, Këshilltare për Politikat e Zhvillimit Ekonomik në Bashki, njëkohësisht përgjegjëse për projektin.

Sot në Qendën Rinore Multifunksionale janë krijuar katër Klube Rinore, ndërsa 230 nxënës dhe studentë janë përfitues të plot gjashtë shërbimeve të reja publike. 

“Të paturit e një Qendre Rinore Multifunksionale ishte një domosdoshmëri për Bashkinë tonë. Duke përjetuar nga afër potencialet e bashkëmoshatarëve të mi në çdo aktivitet të organizuar në qendër, jam e sigurt se ky projekt do të sherbejë si një trampolinë për të gjithë të rinjtë që besojnë se asgjë nuk është e pamundur”, thotë Uarda Vodo, frekuentuese e Qendrës Rinore Multifunksionale.

E duke njohur personalitetet e vyera të kulturës sonë që ka prodhuar ndër vite krahina e Myzeqesë, shpresojmë që edhe nga dyert e Qendrës së re Rinore Multifunksionale të dalin talente me të cilët të krenohemi në të ardhmen.

 

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest