Më 12 Prill 2022, projekti “BE për Bashkitë” organizoi Takimin e Rrjetëzimit ndërmjet Njësive të Integrimit Evropian të Bashkive Shqiptare dhe atyre të Evropës Jug-Lindore me tematikë “Përgatitja për të Ardhmen”.
Ky event i shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave, mblodhi së bashku Njësitë e Integrimit Evropian nga Bashkitë e Shqipërisë dhe Evropës Juglindore, dhe përfaqësues të Shoqatave të Bashkive të Evropës Jug-Lindore, anëtare të NALAS.
Fokus i takimit ishte shkëmbimi i praktikave të mira për forcimin e kapaciteteve të zyrtarëve bashkiakë në integrimin në BE dhe përgatitjen për anëtarësimin e ardhshëm, duke përfshirë përthithjen dhe menaxhimin e mbështetjes financiare të BE-së.
Në fjalën e saj hapëse, drejtuesja e Sektorit të Qeverisjes së Mirë, Drejtësisë dhe Zbatimit të Ligjit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, znj. Lenka Vitkova u shpreh se bashkitë kanë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në BE pasi 70% e legjislacionit zbatohet në nivel lokal.
“Njësitë bashkiake të BE-së janë shtylla kurrizore e infrastrukturës së BE-së në Shqipëri, nga poshtë-lart, dhe kjo është arsyeja pse ato meritojnë mbështetje. BE-ja në Shqipëri po mbështet qeverinë vendore si me asistencë teknike ashtu edhe me grante. Në këtë mënyrë bashkitë forcojnë aftësitë e tyre për menaxhimin e projekteve, por gjithashtu përfitojnë nga mbështetja financiare dhe u përgjigjen nevojave lokale”- theksoi ndër të tjera Vitkova.
Aktivitetin e përshëndeti edhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Keti Luarasi; Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Enea Hoti; Drejtori Ekzekutiv i NALAS, Kelmend Zajazi; Adelina Farrici, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës për Autoniminë Vendore; si dhe Agron Haxhimali, Drejtor i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Në ditën e parë të këtij takimi u zhvilluan katër panele tematike: Bashkitë Shqiptare dhe procesi i integrimit në BE; Roli i njësive të integrimit në BE: Ngritja e kapaciteteve dhe përgatitja për integrimin në BE në të ardhmen; Organizimi i Rrjetit të Zyrtarëve Bashkiakë të BE në Evropën Jug-Lindore; Një qasje sistemike për para-financimin dhe bashkë-financimin e projekteve të financuara nga BE.
Aktivitetin u përmbyll nga z. Orlando Fusco, Menaxheri i Programit të Qeverisjes së Mirë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, i cili nënvizoi se “Shqipëria ka bërë progres të madh në drejtim të angazhimit të bashkive në procesin e integrimit në BE. Ndërkohë nevojiten përpjekje shtesë për mbështetjen e bashkive për të aksesuar asistencën financiare të BE-së.”
Më tej, z. Fusco inkurajoi vazhdimin e shkëmbimeve ndërmjet kolegëve, duke theksuar se “vlera e shtuar e kësaj nisme është se NALAS si një organizatë rajonale, sjell përvoja nga vendet e tjera dhe ndihmon në zhvillimin e kapaciteteve përmes shkëmbimeve rajonale.”
Takimi u organizua nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave te Autoriteteve Lokale të Evropës Jug-Lindore, si koordinator i projektit “BE për Bashkitë”, në partneritet me projektin “Bashkitë për në Evropë (MfE) 2.0”, Shoqatën për Autonominë Vendore dhe Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë
Për më shumë lexo këtu.