Inovacioni dhe kultura bashkohen në Mat

Rikonstruksioni i një ndërtese ka mes të tjerash, dy qëllime kryesore. Së pari ndërhyrja synon ruajtjen dhe rivënien në funksion e ndërtimit ekzistues, ndërsa qëllimi i dytë lidhet me rijetësimin apo “rigjallërimin” e objektit, duke i ofruar mundësi të reja dhe duke identifikuar funksione që krijojnë sinergji me mjedisin përreth. Në këtë mënyrë ndërtesa ekzistuese merr më shumë vlerë, duke krijuar avantazh ekonomik dhe social për komunitetin, por dhe për vetë nxitësit e ndërhyrjeve. Kështu ndodhi në Bashkinë e Matit. Me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian përmes Skemës së Granteve EU4Municipalities, Bashkia Mat rikonstruktoi godinën e vjetrëruar të Pallatit të Kulturës “Shefqet Doda”, e njëkohësisht krijoi në ambientet e saj, Qendrën e Inovacionit (ICTe-Mat). Pallati i Kulturës që mban emrin e dirigjentit të parë nga Mati, sot është transformuar tërësisht duke ofruar shërbime të reja për 5 mijë pjesëtarët e komunitetit. Godina e rikonstruktuar tashmë është pajisur me salla të reja baleti, muzike, një galeri arti dhe sallë për konferenca. Fasada e godinës është rinovuar krejtësisht gjithashtu. Përmes pamjes dhe shërbimeve të reja që Pallati i Kulturës ofron, Bashkia synon gjallërrimin e jetës kulturore dhe artistike të Burrelit.

Projekti “ICTe-Mat – Inovacioni dhe Kultura për të fuqizuar Matin” parashikoi gjithashtu krijimin dhe ngritjen e një qendre për rininë, kushtuar teknologjisë dhe inovacionit. Prej ditës së inaugurimit, kurset në Robotikë, Design dhe Kodim janë tejmbushur me të rinj dhe fëmijë të etur për të mësuar dhe të apasionuar pas teknologjisë.

Dea është gjimnaziste në vitin e dytë të shkollës “28 Nëntori”. Ajo i ndjek të treja modulet që zhvillohen në qendër. 

“Quhem Dea Basha dhe trajnimet në Qendrën e Inovacionit ICTe-Mat kanë ndikuar thellësisht në zhvillimin tim personal. Trajnimet në 3D Dizajn, Kodim në Scratch dhe Robotikë më kanë ndihmuar të zhvilloj aftësi të reja dhe kreativitet në teknologji. Gjithashtu, kjo platformë më ka dhënë mundësinë të bashkëpunoj dhe të ndërtoj projekte inovative në një mjedis frymëzues”, thotë 17-vjeçarja me pasion teknologjinë.

Për realizimin e të gjithë projektit të Bashkisë së Matit shërbyen në total 238.000.00 Euro, nga të cilat financimi i Bashkimit Evropian është 199.920.00 Euro. Buxheti u vu në dispozicion për rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës, krijimin dhe mobilimin e Qendrës TIK, aktivitete trajnuese rreth aftësive të TIK-ut, workshope me tematika kushtuar rinisë dhe procesit të integrimit evropian, por edhe trajnimin e punësimin dy personave si punonjës bashkiakë. Po ashtu, edhe stafi i i Bashkisë në Burrel përfitoi trajnime përgjatë zbatimit të projektit.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, njëkohësisht koordinator i projektit për Bashkinë e Matit, Elson Reçi tregon me detaje sesi “BE për Bashkitë” ka mbështetur dhe kontribuar për ngritjen e kapaciteteve në nivel lokal.

“Përveç investimeve në ambiente të rikonstruktuara, si qendra e inovacionit, galeria e arteve, dhe salla e baletit, projekti “BE për Bashkitë” ka ofruar një gamë të gjerë shërbimesh për të përmirësuar infrastrukturën dhe kapacitetet e institucioneve lokale. Kjo përfshin trajnime për stafin e bashkisë, që janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional dhe personal, e kështu për zhvillimin institutional të Bashkisë.

Trajnime të tilla përfshijnë përmirësimin e aftësive komunikuese, menaxhimin e kohës, punën në ekip dhe bashkëpunimin, si dhe trajnime për zhvillimin e aftësive të ndërveprimit ndërkulturor. Projekti “BE për Bashkitë” ka kontribuar në përparimin e kapaciteteve dhe për menaxhimin e projekteve në nivelin lokal nëpërmjet ofrimit të asistencës teknike dhe trajnimeve në disa fusha të rëndësishme”, tregon Reçi.

Urojmë që ndërtesa e modernizuar e Pallatit të Kulturës dhe ngritja e Qendrës së Teknologjisë dhe Inovacionit të shërbejnë në përmirësimin e kushteve shoqërore dhe ekonomike, duke mundësuar një cilësi më të mirë jetese për komunitetin e Bashkisë së Matit.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest