Këndi i ri i lojërave në Rrëshen: Argëtim për të gjitha moshat

Histori, traditë, kulturë, mikëpritje, natyrë e mrekullueshme dhe pasuri të mëdha nëntokësore. Bashkia Mirditë i ofron për të gjithë vizitorët vendas e të huaj me bujarinë që lind prej shekujsh. Mirdita të ofron peisazhe që të mbërthejnë, legjenda që të përpijnë, personazhe historike që të përfshijnë, e njohur në të shkuarën e largët si një ndër bajraqet më të rëndësishme në Shqipërinë veriore. Dikur të pamposhtur ndaj pushtuesve të huaj, në kohët moderne mirditorët vazhdojnë me ruajnë me krenari kulturën e traditat, dhe mbi të gjitha vijojnë të kudesen për të mirën e përbashkët të komunitetit.

Në shërbim të kësaj, Bashkia e Mirditës u shpall si një ndër 19 fitueset e Skemës së Granteve “BE për Bashkitë”, me projektin “BE për Fëmijët në Rrëshen”. Me një buxhet të përgjithshëm prej 46,856,99 euro, prej të cilave Bashkimi Evropian kontribuoi me 40,120,75 euro u ndërtuar një Kënd Lojrash për fëmijë mes një parku të gjerbëruar në qytetin e Rrëshenit.

Sot më shumë se 1300 fëmijë të Rrëshenit i gëzohen këndit të ri të lojrave në rrugën “Gjergj Fishta”. Këndi i ndërtuar në një park të gjelbëruar është menduar si vend argëtues për fëmijët, po ashtu edhe si një vend shlodhës edhe për të rriturit në qytet. Projekti ia arriti qëllimit të vendosur që në krye të herës, ofrimin e shërbimeve publike të përmirësuara për komunitetin nëpërmjet ndërhyrjeve të vogla në qytetin e Rrëshenit.

Kryetari i Bashkisë së Mirditës Albert Mëlyshi, nuk e fsheh gëzimin për zbatimin dhe realizimin e Projektit “BE për Fëmijët në Rrëshen”. Por siç thotë ai shpresa është e madhe për të vijuar bashkëpunimin me BE-në.

Si kryetar i zgjedhur rishtaz në Maj 2023, ishte një kënaqësi të zbatoja dhe inauguroja një Kënd Lojrash për më të vegjlit e qytetit të Rrëshenit. Skema e Granteve “BE për Bashkitë” ishte një përballje e parë dhe pozitive me projektet e Bashkimit Evropian dhe shpresoj të kemi mundësi të aksesojmë si Bashki sa më shumë nga fondet e Unionit për të zhvilluar sa më shumë Mirditën”, shprehet kryetari i Bashkisë së Mirditës.

Përgjatë zbatimit të projektit u zhvilluan 4 aktivitete publike me pjesëmarrjen e më shumë se 1314 fëmijëve dhe 753 të moshuarve, organizuar në mjedisin e gjelbërt për të promovuar dialogun ndërbrezor, fuqizimin e të rinjëve dhe rolin e të moshuarve, si dhe promovimin e kulturës së mjedisit të hapur. Një aktivitet i veçantë iu dedikua vlerave të BE-së rreth jetesës së shëndetshme.

Gjovalin Marfana, Menaxher Projekti pranë Bashkisë Mirditë, është një ndër nëpunësit që ka marrë pjesë në shumë trajnime të mbajtura në kuadër të “BE për Bashkitë”. Si person përgjegjës për koordinimin në Njësinë për Integrimin Evropian dhe Ndihmën e Huaj në Bashki, ai shfaq vlerësim për skemën e Granteve “BE për Bashkitë”.

Kjo skemë më dha mundësi që jo vetëm të trajnohem për shkrimin efektiv të një projekti për të cilin u angazhova në mënyrë direkte për shkrimin, por edhe në zbatimin e tij. Kjo eksperiencë më ndihmoi shumë gjatë periudhës Mars – Maj 2023, kur Bashkia Mirditë aplikoi në thirrje të hapura me 4 projekt-ide, që më vonë u kthyen në dy kontrata granti për Bashkinë Mirditë”, pohon Marfana.

Zbatimi me sukses i projektit “BE për Fëmijët në Rrëshen” i ka dhënë Bashkisë Mirditë një përvojë të pasur të çmuar, duke përfshirë ndër të tjera aspekte të tilla, si: menaxhimi i projektit, angazhimi i komunitetit, administrimi financiar dhe shpërndarja e burimeve. Kjo përvojë padyshim do të kontribuojë në kapacitetin e Bashkisë për të ndërmarrë dhe menaxhuar projekte të ngjashme në të ardhmen, duke nxitur rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm brenda komunitetit.

EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

 

Lajme të ngjashme

Praktika të mira nga projekte të financuara nga BE

Praktika të mira nga projekte të financuara nga BE

Katalogu “Praktika të Mira” ka si qëllim të ofrojë shembuj të praktikave të mira në zbatimin me sukses të projekteve të financuara nga BE në vende të ndryshme të Evropës, si Kroaci, Mali i Zi, Serbia, Moldavia, Turqia, etj. Projektet e përfshira në katalog janë...

Lexo më shumë

Pin It on Pinterest