Sporti dhe Inovacioni: Transformimi i Pukës përmes Granteve të BE-së

Bashkia e Pukës është një nga zonat më të larta në veri të Shqipërisë dhe shtrihet 838 metra mbi nivelin e detit. Rruga deri në Pukë është disi e gjatë dhe gjarpërushe, rreth 140 kilometra distancë nga kryeqyteti. Kupton se destinacioni po afron, vetëm atëherë kur të rrethon natyra e virgjër dhe pyjet me pisha. Përballja me qytetin, për kë e viziton atë për herë të parë është padyshim mbreslënëse. Larg transformimit që kanë pësuar qytetet shqiptare në dekadat e fundit, Puka ruan fizionominë e saj autentike, me ndërtesa të ulëta, objekte kulti të besimit musliman dhe të krishterë, rrugë të pastra dhe i rrethuar nga pyjet e gjelbërta. Me natyrën magjepëse të Pukës sot gërshetohen edhe tre objekte të rijetëzuara së fundmi, kushtuar rinisë.

Me qëllimin kryesor për të fuqizuar të rinjtë pukjanë përmes shërbimeve cilësore dhe përmirësimit të shërbimeve, Bashkimi Evropian financoi përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”, tre ndërhyrje me rëndësi: krijimin e Qendrës së Inovacionit, rehabilitimin e palestrës së shkollës “Migjeni” dhe rikonstruksionin e Qendrës Sportive. Buxheti total që u vendos në dispozicion për të realizuar këto ndërhyrje infrastrukturore si dhe aktivitete kushtuar rinisë është 210.000.00 Euro nga të cilat 189.000.00 Euro është kontributi i Bashkimit Evropian.

Me këtë fond, Bashkia e Pukës realizoi punimet rindërtuese të objekteve, nga shërbimet e të cilave sot llogaritet të përfitojnë 800 të rinj dhe fëmijë të Bashkisë dhe njësive të saj administrative.

“Rehabilitimi i Qendrës Sportive ishte një domosdoshmëri për rritjen sociale dhe zhvillimin e zonës. Tani të rinjtë e Pukës kanë një tjetër ambient për të kaluar kohën e lirë dhe për t’u marrë me sport”, shprehet Lorenc Seferi, 22-vjeçari pukjan i diplomuar në Teknologji Informacioni (IT) dhe frekuentues i rregullt i Qendrës Sportive. 

Projekti “Bashkia për të rinjtë”, me të cilin Bashkia Pukë u shpall fituese e një prej granteve të mëdha të “BE për Bashkitë”, synon rritjen e aftësive të të rinjve në sipërmarrje, sporte dhe komunikim. Për këtë arsye, pjesë e projektit ishte edhe krijimi i Qendrës së Inovacionit, një risi që synon aksesin e rinisë në teknologji dhe rrjedhimisht zhvillimin e tyre profesional. 

“Qendra e Inovacionit është një risi për të rinjtë e Pukës. Krijimi i saj ka sjellë rritjen e aksesit në teknologji dhe zhvillim në fushën e promovimit online, marketingut dhe inovacionit për rininë dhe në veçanti për sipërmarrësit e rinj”, tregon Ilda Latifi e diplomuar në Drejtësi dhe frekuentuese e Qendrës së Inovacionit në Pukë.

Së bashku me Qendrën e Inovacionit u rikonstruktua edhe biblioteka, e cila zotëron një fond modest librash të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Një tjetër investim në kuadër të projektit “Bashkia për të rinjtë”, është rinovimi i palestrës së shkollës “Migjeni”. Fjalët për të ilustruar gjendjen e mëhershme të së cilës mund të huazojmë vetëm vargje migjeniane.

Sot, palestra e shkollës ka ndryshuar rrënjësisht dhe ofron kushte dinjitoze për 300 nxënës. Njëri prej tyre është nxënësi i klasës së VI-të, Kledis Laci.

“Ne nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Migjeni” jemi shumë të lumtur pasi palestra jonë u rinovua. Tani kemi ku të kalojmë orët e edukimit fizik dhe të bëjmë aktivitete sportive dhe argëtuese”, thotë Kledisi. 

Ne besojmë se investimi i realizuar në Bashkinë e Pukës nuk është vetëm ndërhyrje dhe rehabilitim i infrastrukturës, por është një investim për rininë, një investim për të ardhmen. 

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest