Fillon zyrtarisht projekti “BE për Bashkitë” për mbështetjen e bashkive shqiptare dhe komuniteteve lokale në procesin e integrimit evropian

Tre projekte të reja të Bashkimit Evropian “Bashkitë për në Evropë 2.0”, “BE për Bashkitë” dhe “STAR3” filluan zyrtarisht punën për fuqizimin dhe mbështetjen e bashkive shqiptare drejt procesit të integrimit evropian. Projektet u prezantuan përgjatë konferencës “Bashkitë Shqiptare dhe Procesi i Integrimit në BE, të zhvilluar në Gjirokastër me praninë e ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Luigi Soreca theksoi se ngritja e kapaciteteve të pushtetit vendor është element thelbësore për suksesin e integrimit në BE. Gjithashtu, ai u ndal edhe tek projekti i ri “BE për Bashkitë”, një skemë grantesh të drejtpërdrejta për 61 bashkitë që vjen si pjesë e programit të BE-së për qeverisjen mirë.

“Programin jonë më  i ri ‘BE për Bashkitë’ është një skemë grantesh të drejtpërdrejta. Të gjitha bashkitë do të mund të aplikojnë dhe ne do të kemi një thirrje për aplikime për grante çdo gjashtë muaj. Thirrja e parë do të jetë në nëntor për grante deri në 200,000 euro (për një grant të përgjithshëm prej 1,75 milionë euro). Grantet do të mbështesin infrastrukturën dhe shërbimet publike vendore, zhvillimin ekonomik vendor, inovacionin, krijimin e vendeve të punës, mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e të rinjve. Ne presim që përmes një procesi konkurrues, rreth një e treta e bashkive shqiptare të përfitojnë nga këto grante të financuara nga BE-ja”, deklaroi ambasadori i BE-së në Shqipëri.

Aktivitetin e përshëndeti edhe zv.ministri i Brendshëm, Andi Mahile, kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi dhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, të cilët në fjalën e tyre nënvizuan rëndësinë e pushtetit lokal në rrugëtimin në BE.

Më tej, drejtuesit e tre projekteve prezantuan objektivat dhe rezultatet e pritshme nga këto tre projekte. Elton Stafa, nga projekti “BE për Bashkitë”, u shpreh se objektivi kryesor i këtij projektit është mbështetja direkte e qeverisë lokale për zbatimin e objektivave dhe planeve të tyre strategjike të zhvillimit lokal.

“Prioritet i projektit BE për Bashkitë është që përmes skemës së granteve, ne të kontribuojmë në: promovimin dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik vendor të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës; rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendor; mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike në nivel vendor si dhe në promovimin e të rinjve, kulturës dhe sporteve në komunitetet lokale”, tha Stafa.

Me fillimin e tre projekteve, Bashkimi Evropian do të mbështet fuqishëm bashkitë shqiptare drejt përmirësimit të shërbimeve publike, decentralizimit dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal.

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest