Rijetëzimi i Qendrës Kulturore të Fëmijëve

“Jam shumë e lumtur dhe krenare që sakrifica ime e 10 viteve në drejtimin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Patos, për të patur ambiente dinjitoze për vogëlushët, mori vlerë me rikonstruksionin e saj”. Kështu shprehet Manushaqe Lamaj, Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, godina e të cilës u rikonstruktua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, përmes skemës së granteve “BE për Bashkitë”.

         

“Në vitin 2014 kur mora detyrën e drejtoreshës, dera e qendrës ishte e mbyllur, stafi rrinte jashtë godinës dhe kushtet e brendshme ishin të mjerueshme. Sot qendra ka hapësira moderne dhe miqësore për 77 fëmijë frekuentues të rregullt, ndërsa përmes konkurseve arrijmë që të angazhojmë të gjithë fëmijët e grupmoshës nga 6 deri në 15 vjeç të Bashkisë dhe të njësive administrative”, tregon krenare Manushaqa, teksa kujton përpjekjet ndër vite për të siguruar ndihma për sistemimin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve.

         

Godina dikur shërbente si “ish-Shtëpia e Pionierit” me 6 klasa mësimi. Ndërtimi i saj daton në vitin 1970. Vitet ’90 shënuan privatizimin e gjysmës së objektit, që filllimisht solli përgjysmimin e klasave, e më pas kjo çoi në mbylljen e këtij institucioni që mbeti pa instrumente muzikore, madje edhe pa tualet.

Riorganizimi i “ish-shtëpive të Pionierit” në rang vendi, nisi në fillim të vitit 2000. Ato u emërtuan Qendra Kulturore të Fëmijëve, ashtu siç ndodhi me atë në qytetin e Patosit. Por pavarësisht interesimit të prindërve dhe dëshirës së mirë të pushtetit lokal për rikthimin e veprimtarive për fëmijë, shumë godina ishin pre e amortizimit nga e kaluara. Instrumentet muzikore apo mjetet didaktike ishin pothuajse të gjitha jashtë përdorimit. Manushaqe Lamaj kujton se piano e vjetëruar dhe e fundit e QKF në Patos ishte funksionale deri në fillim të viteve ’90, ndërsa veglat e tjera muzikore ishin të pakta.

“Përpara rikonstruksionit, kjo qendër ka qenë në gjendje të mjerueshme, si godina ashtu edhe rrjeti elektrik ishin amortizuar dhe mungonte infrastruktura e domosdoshme mësimore. Bankat ishin të vjetra, dritaret nuk kishin perde, muret ishin të lyer me ngjyrë të gjelbër të errët. Ambientet ngjasonin më shumë me një repart ushtarak sesa me një qendër për fëmijë. Rrethi apo siç quhet sot, grupi i valleve ishte i vetmi që kishte mbetur aktiv, por që veprimtarinë e kryente pranë Pallatit të Kulturës. Instrumentet muzikore ishin të pakta, edhe këto të vjetëruara; dy kitare dhe tre fizarmonika, nga të cilat punonte vetëm njëra”, tregon Drejtoresha e QKF, Patos.

Rijetëzimi i Qendrës u kthye në realitet vetëm pasi projekti i Bashkisë së Patosit, “Përmirësimi i Shërbimeve dhe Kulturës që lidhen me fëmijët”, u shpall një ndër fituesit e Skemës së Granteve “BE për Bashkitë”, i finacuar nga Bashkimi Evropian.

         

Me një buxhet të përgjithshëm prej plot 54.657.27 Euro, nga të cilat fondi i Bashkimit Evropian është 49.191.54 Euro, Bashkia e Patosit realizoi rikonstruksionin e plotë të objektit ekzistues të Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Dhe jo vetëm kaq! Përmes projektit qendra u pajis me instrumente të reja muzikore: një violinë, dy kitarra, 2 piano dhe një firzamonikë.

           

          

Rikonstruksioni solli edhe rikonceptim të ambienteve të qendrës, të cilat tanimë presin fëmijët në kushte bashkëkohore. Sot qendra ka një sistem të ri elektrik, tre klasa mësimi, një klasë kërcimi me parket druri, si edhe tualet.

         

Shërbimet në dispozicion të fëmijëve janë të një spektri të gjerë, si: kurse pikture, kërcimi (modern dhe valle), muzikë, piano, kitarrë, qëndisje, gjuhë e  huaj (anglisht), si dhe kursi i ambientalistëve. Me dëshirën dhe pasionin për t’i bërë fëmijët të ndihen mirë dhe për të kaluar orë krijuese, angazhohet çdo ditë stafi i qendrës i përbërë nga pesë punonjës. Falë këtij investimi Qendra Kulturore e Fëmijëve ka marrë trajtën e një qendre të mirëfilltë artistike, ku zhvillohen edhe konkurse te ndryshme në pikturë, instrumente, këngë dhe ku organizohen aktivitete të rëndësishme lokale siç është kampionati i shahut.

“Si çdo fëmijë edhe unë kam patur dëshira dhe ëndrra, mirëpo në kohën e fëmijërisë time, qyteti i Patosit nuk ofronte shumë mundësi, pasi edhe qendra nuk funksiononte. Të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e mia të vegjëlisë, jam munduar t’ua bëj realitet dhe plotësoj fëmijëve që frekuentojnë sot qendrën. Në këto vite jam munduar t’u jap dashuri e mbi të gjitha të inkurajojë anën e tyre artistike, që kur të rriten bëhen të suksesshëm në jetë”- uron Manushaqe Lamaj, Drejtoresha e QKF në Patos.

         

Historia ndër vite ka treguar se nga dyert e kësaj qendre dalin fëmijë të talentuar, të cilët në vijimësi ndjekin shkollat e mesme artistike dhe Akademinë e Arteve të Bukura. Ndaj dhe urojmë që nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj qendre të dalin talente të reja dhe tradita të vazhdojë!

EU4Municipalities (BE për Bashkitë) është një projekt i financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zbatohet nga një konsorcium i drejtuar nga NALAS, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Lokale të Evropës Juglindore, (mbështetur institucionalisht nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim), në partneritet me Shoqatën e Autonomisë Vendore të Shqipërisë, EcoPartners for Sustainable Development dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest