“BE për Bashkitë”: investime, shërbime dhe ngritje kapacitetesh për pushtetin vendor

Buletini Informativ

Editorial nga Marie Augouy, Menaxhere Programi për Qeverisjen Rajonale dhe Lokale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Gjatë muajve të fundit, EU4Municipalities (BEpërBashkitë) së bashku me partnerët e saj dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian patën kënaqësinë të vizitonin disa nga bashkitë e Shqipërisë dhe të merrnin pjesë me autoritetet vendore, komunitetet lokale dhe grupet rinore në inaugurimin e infrastrukturave të reja dhe shërbimeve publike që iu përgjigjen nevojave dhe shqetësimeve të qytetarët.

Tani është koha për të prekur arritjet konkrete, për të dëshmuar se sa këto arritje ndikojnë pozitivisht në cilësinë e jetës së komuniteteve dhe për të riafirmuar rolin e rëndësishëm të autoriteteve lokale në nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik lokal. Vlen të kujtohet se falë 23 ndërtesave publike lokale të rehabilituara nga programi BE për Bashkitë, qytetarët tani mund të mbështeten në 68 shërbime bashkiake të modernizuara dhe të përmirësuara, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejtë 49.332 anëtarë të komunitetit lokal, nga të cilët 32.787 janë të rinj.

Duke pasur parasysh që BE për Bashkitë është nisma e parë e BE-së në Shqipëri që ofron mundësi financiare për investime ekskluzivisht për bashkitë, po ashtu është koha për të bërë një bilanc të mësimeve të nxjerra dhe për të ndarë përvojat. Ky ushtrim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve dhe shërbimeve bashkiake gjatë gjithë ciklit të projektit dhe më pas, për të rritur tek bashkitë kapacitetet përthithëse të asistencës financiare të Bashkimit Evropian dhe për të përgatitur autoritetet lokale për të përmbushur detyrimet e ardhshme të anëtarësimit në BE dhe të përfitojnë në mënyrë efikase nga e gjithë gama e mundësive.

Zbatimi i 19 projekteve bashkiake duke angazhuar 19 bashki (1/3 e bashkive shqiptare) paraqet një kampion të mirë të përvojave që kontribuojnë në identifikimin e sfidave ligjore dhe administrative për t’u trajtohet si prioritet në nivelet e qeverisjes vendore dhe qendrore.

Ndërsa vërehet njëfarë progresi në nivel qendror, siç është ndryshimi i ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, në kuadër të IPA III, përvoja tregon se kompleksiteti i proceseve administrative dhe mungesa e harmonizimit kundrejt interpretimit dhe zbatimit të dispozitve administrative mund të  çojnë në mundësi të humbura për sa i përket aksesit në fondet e BE-së. Gjithashtu, kjo shpesh rrezikon procesin e zbatimit të projekteve, duke krijuar vonesa të rënda që ndikojnë në menaxhimin e shëndoshë të inputeve të projekteve. Hapja e llogarive bankare të projekteve, transferimi në kohë i fondeve, qartësimi i buxhetit dhe procedurave të prokurimit janë sfida që ende duhet të trajtohen për të arritur një raport më të mirë kosto/efektivitet të projekteve bashkiake dhe për të përfituar nga mundësitë e financimit në dispozicion të BE-së që u ofrohen autoriteteve vendore. Për këtë qëllim, është thelbësor dialogu konstruktiv ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor që ndihmon në një proces administrativ efikas.

Në nivel lokal, është bërë përparim në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për t’u angazhuar më mirë në procesin e anëtarësimit në BE. Krijimi i njësive të integrimit në BE në 61 bashkitë konsiderohet si një hap përpara. Megjithatë, një mësim tjetër i nxjerrë nga programi BE për Bashkitë është se strukturat, si njësitë dhe departamentet bashkiake, duhet të mbështeten me kapacitete të duhura teknike dhe administrative dhe nga mekanizmat efikasë koordinues që synojnë përmirësimin e standardeve të ofrimit të shërbimeve, por edhe planifikimin, menaxhimin, vlerësimin dhe kontrollin e fondeve dhe projekteve të BE-së. Në veçanti, bashkitë inkurajohen të investojnë në zhvillimin dhe mbajtjen e kapaciteteve të duhura, në gjetjen e zgjidhjeve inovative për ngritjen e kapaciteteve, si krijimi i rrjeteve dhe bashkëpunimit midis bashkive. Me perspektiva të qarta të integrimit të përshpejtuar, bashkitë do të duhet të sigurojnë në vitet e ardhshme përgatitjen e dukur të nëpunësve vendorë, me një nivel të përshtatshëm stabiliteti dhe qëndrueshmërie për administratën publike. Qasja e të “mësuarit përmes praktikës” të EU4M është në këtë kuptim shumë e rëndësishme.

Vlen të theksohet se administratat publike lokale “zbatojnë 70% të të gjithë legjislacionit të BE-së, 90% të politikave të përshtatjes klimatike dhe 65% të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Kjo do të thotë se për të marrë në mënyrë efektive detyrat dhe përgjegjësitë e një shteti të ardhshëm anëtar të BE-së, është thelbësore që të ketë pushtete vendore të fuqizuara, administrata vendore të aftë dhe qytetarë aktivë, grupe sociale dhe biznese.

BE-ja është këtu për të mbështetur përgatitjen e bashkive në Shqipëri për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive sfidave të anëtarësimit të ardhshëm në BE. Një program i ri prej 10 milionë euro po përgatitet aktualisht së bashku me Qeverinë e Shqipërisë, duke gërshetuar grante për investime në infrastrukturë dhe shërbime dhe asistencë teknike, dhe duke u mbështetur në qasjen e të mësuarit duke bërë. Thirrjet e reja për propozime do të hapen në vitin 2025. Këto mundësi nuk duhen  humbur!

Si përfundim, dëshiroj të përgëzoj ekipin zbatues të projektit dhe shoqatat e autoriteteve vendore për përpjekjet dhe angazhimin e tyre në mbështetjen e bashkive të Shqipërisë për t’u angazhuar më shumë dhe më mirë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave dhe shqetësimeve lokale dhe për të forcuar demokracinë lokale. Ftoj gjithashtu të gjitha bashkitë e Shqipërisë që të rrisin në mënyrë aktive kapacitetet lokale dhe të fillojnë përgatitjen e projekteve përmes zgjidhjeve të bazuara në vend, të favorshme për arritjen e shoqërive të drejta. Europa është këtu, në çdo qytet dhe fshat ku jetojnë shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest