Buletini Informativ
Nga Entela Pinguli, Zv. Drejtore e skemës së granteve “BE për Bashkitë”
Gjatë zbatimit të grantit, “BE për Bashkitë” po ofron mbështetje për bashkitë partnere në përgatitjen e raporteve përfundimtare dhe verifikimet e shpenzimeve.
Vetëm gjatë vitit 2023, “BE për Bashkitë” zhvilloi seanca trajnimi dhe ndihmë praktike të përshtatur sipas kërkesave për 190 punonjës të 19 bashkive fituese, në zbatimin e projekteve të tyre. Më konkretisht “BE për Bashkitë” zhvilloi 11 trajnime rajonale dhe 12 klinika trajnimi gjatë vitit 2022 për 19 Grantmarrësit, si në vijim:
9 Trajnime Rajonale për “Menaxhimin dhe Zbatimin e Granteve” (korrik 2022 – shkurt 2023), duke u fokusuar në sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen bashkitë gjatë zbatimit të projektit, duke përfshirë monitorimin dhe raportimin e granteve, në dobi të 109 punonjësve bashkiakë.
2 Trajnime Rajonale për Matjen e Rezultateve të Granteve dhe qëndrueshmërisë me pjesëmarrjen e 18 punonjësve bashkiakë.
12 Klinika trajnimi për “Menaxhimin dhe Zbatimin e Granteve” që ofrojnë mbështetje direkte të përshtatur në linjat tematike si në vijim: menaxhim programi, menaxhim financiar, raportim dhe komunikim, me pjesëmarrjen e përgjithshme të 124 punonjësve bashkiakë.
Për të mbështetur të 61 bashkitë shqiptare në kapacitetet e tyre për të absorbuar fondet e BE-së, u zhvilluan 3 trajnime rajonale me temë “Mësimet e nxjerra nga përvoja e “BE për Bashkitë” mbi përgatitjen e projekt-propozimeve të BE” organizuar në mars dhe prill 2023, të organizuara së bashku me Projektin “Bashkitë për në Evropë”. Trajnimi ishte i orientuar drejt praktikës dhe përfshinte raste reale të shembujve të suksesshëm.
Së fundi, “BE për Bashkitë” po përgatitet për mbylljen e suksesshme të projektit. Ekipi po planifikon aktivitetet e fundit të zhvillimit të kapaciteteve të projektit, duke përfshirë:
- a) ofrimin e një seminari teknik dhe tre trajnime rajonale mbi mësimet e nxjerra nga grantet e “BE për Bashkitë”; b) hartimin e një Dokumenti Politikash për krijimin e një mjedisi të favorshëm për bashkitë shqiptare për të absorbuar dhe për të menaxhuar ndihmën financiare të BE-së; c) hartimi i një Manuali për Zbatimin e Granteve (së bashku me “Bashkitë për në Evropë”); d) zhvillimin e një Katalogu për Projektet e financuara nga BE; dhe në fund e) Konferenca Përfundimtare e Projektit, ku dëshirojmë të shohim të gjithë partnerët dhe homologët që festojnë mbylljen e suksesshme të projektit “BE për Bashkitë”.