E ardhmja e ndritur e Tropojës nis me të rinjtë

Bashkia Tropojë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e jetës së të rinjve përmes rindërtimit të Qendrës Rinore. Ky projekt ka krijuar një hapësirë të re dhe funksionale për të rinjtë e zonës, duke përfshirë krijimin e Këshillit Rinor dhe përgatitjen e Planit të Punës për rininë, që do të jetë operativ për pesë vitet e ardhshme.

Buxheti i përgjithshëm për realizimin e projektit “Të rinjtë aktivë në Bashkinë e Tropojës” ishte 53.848 euro, nga të cilat 48.463.2 euro është kontributi I Bashkimit Evropian.

Rinisa Osmanaj është Koordinarore e Rinisë, pranë Qendrës Rinore. Ajo shprehet se qendra përfaqëson një hap të rëndësishëm për komunitetin është një vend kreativ dhe i pasur me aktivitete për të rinjtë. “Synimi ynë është të krijojmë një ambient mbështetës ku të rinjtë mund të zhvillohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre”- thotë Osmanaj.

Nga rindërtimi i Qendrës Rinore kanë përfituar 120 të rinj. Aktivitetet e Kampit Rinor, të organizuara për një periudhë tre-ditore, kanë tërhequr 70 të rinj, të cilët morën pjesë në modulet e posaçme të trajnimit mbi procesin e vendimmarrjes. Këto aktivitete kanë për qëllim të fuqizojnë dhe të rrisin aftësitë e të rinjve në përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe në jetën publike të komunitetit.

“Qendra Rinore në Tropojë është tashmë një pikë takimi e veçantë për të rinjtë, ku ata mund të shfaqin potencialin e tyre. Është vendi ku rinia mblidhet dhe punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”, shprehet Erla Seci, anëtare e Këshillit Vendor Rinor.

“Qendra Rinore në Tropojë është shumëfunksionale. Ne të rinjve na vjen në ndihmë për organizimin e aktiviteteve dhe për të bërë realitet idetë tona”, thotë Klodian Gjyriqi, një tjetër anëtar i Këshillit Vendor Rinor.

Një aspekt kyç i projektit ishte trajnimi dhe aftësimi i pesë punonjësve bashkiakë mbi menaxhimin e programit rinor dhe bashkëpunimin me Këshillin Rinor. Ky trajnim ka qenë thelbësor për garantimin e një menaxhimi efikas të aktiviteteve rinore dhe për rritjen e kapaciteteve të Qendrës Rinore.

“Qendra Rinore ishte një dëshirë dhe kërkesë e rinisë që pritej prej kohësh dhe më në fund u realizua. Tashmë të rinjtë e mrekullueshëm tropojanë kanë një ambient të përshtatshëm dhe komod që të realizojnë idetë, planet dhe organizimet e tyre”, tregon Fjorda Breçani Kryetare e Këshillit Vendor Rinor. 

Rindërtimi i Qendrës Rinore në Bashkinë Tropojë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve dhe aktiviteteve për të rinjtë.

Ky projekt ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve të zonës, duke i angazhuar ata më shumë në jetën publike dhe vendimmarrje. Me mbështetjen e Këshillit Rinor dhe planin e punës për pesë vitet e ardhshme, Bashkia Tropojë synon të sigurojë një të ardhme më të ndritur dhe aktive për rininë e saj.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest