Forumi i Qeverisjes Vendore “Bashkitë dhe procesi i integrimit në BE: Shkëmbimi i praktikave të mira në Evropën Juglindore”

Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Shoqata për Autonomi Vendore në Shqipëri, me mbështetjen e projekteve të financuara nga BE, “Bashkitë për në Evropë” dhe “BE për Bashkitë” dhe NALAS organizuan Forumin e Qeverisjes Vendore “Bashkitë dhe Procesi i Integrimit Evropian: Shkëmbimi i Praktikave të Mira në Evropën Juglindore”, në Tiranë më datë 13 tetor 2023.

Cilësia e jetës që përjeton çdo qytetar në zonat urbane dhe rurale në përgjithësi përcaktohet nga cilësia e shërbimeve publike, infrastrukturës publike dhe hapësirës publike të krijuar dhe menaxhuar nga qytetet dhe bashkitë. Për shkak të përgjegjësive të tyre funksionale, bashkitë luajnë një rol themelor edhe në procesin e integrimit në BE, pasi deri në 70% e Acquis të BE-së zbatohet në nivel vendor.

Në forum u nënvizua se me mbështetjen e Bashkimit Evropian (BE), qeverisja qendrore dhe vendore në Shqipëri kanë bërë përparim të rëndësishëm në krijimin e kuadrit ligjor dhe institucional për autoritetet vendore për të kontribuar dhe përfituar nga procesi i anëtarësimit në BE dhe ndihma financiare e BE-së. BE po mbështet reformat kryesore në fushën e qeverisjes vendore dhe zhvillimit rajonal, ndërsa në të njëjtën kohë po rrit mbështetjen e saj për zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve bashkiake nëpërmjet granteve për qeveritë vendore. Në këtë kuadër, Z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Tiranë, nënvizoi se: “BE do të vazhdojë mbështetjen e bashkive dhe komuniteteve vendore në Shqipëri duke akorduar një shifër prej rreth 10 milionë euro përmes programeve të suksesshme të Bashkimit Evropian për të mbështetur bashkitë nëpërmjet granteve të drejtpërdrejta dhe me asistencë teknike.”

Roli i pushtetit vendor mbetet i lidhur ngushtë me procesin e integrimit, sidomos në këtë moment kur po shkohet drejt finalizimit të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit – procesi Screening, pas të cilit nis diskutimi i secilit kapitull në procesin e negociatave Shqipëri – BE. Vetë pushteti vendor ka një zë të veçantë në kapitujt e negocimit, pasi kanë të bëjnë me mjedisin, me sigurinë ushqimore, përfshirjen e dimensionit social, përmirësimin e administratës, e një sërë prioritetesh të tjera zhvillimore.

Ministri Shteti për Pushtetin Vendor Z. Arbjan Mazniku, nënvizoi se rreth 70% e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel vendor dhe se ai, Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Shoqata për Autonomi Vendore, me mbështetjen e BE-së, po luajnë një rol themelor në krijimin e një mjedisi të favorshëm për bashkitë shqiptare që të kontribuojnë më mirë në procesin e anëtarësimit në BE. Z. Mazniku nënvizoi se: “Deri para disa kohësh procesi i integrimit evropian ishte një ëndërr, një vizion i largët, të cilit ne nuk ia shihnim dot fundin. Ndryshimi që ka ndodhur në gjashtë muajt e fundit me shprehjen e qartë të Bashkimit Evropian për një proces të shpejtë dhe teknik të integrimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE është si momenti kur marinarët në det shohin tokën.”

Z. Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë nënvizoi progresin e jashtëzakonshëm të bërë nga Shqipëria, sidomos në vitet e fundit, për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë e njëkohësisht ftoi Bashkimin Evropian të ndërmarrë hapa më të drejtpërdrejta dhe të lehtësojë procedurat për bashkitë përsa i përket thithjes dhe menaxhimit të fondeve të BE-së. “Nëse në vitin 1992, Shqipëria renditej e fundit ndër vendet e Ballkanit Perëndimor në proceset e integrimit, sot mund të themi se Shqipëria është e para. Sot jemi të parët në rajon në këtë proces,” u shpreh Veliaj.

Projekti i financuar nga BE “Bashkitë për në Evropë” ka qenë instrument i rëndësishëm në zhvillimin e njësive të integrimit, përgjegjëse për çështjet e BE-së në nivel vendor, si dhe në kontributin në zhvillimin e kornizës së politikave që u mundëson bashkive të kontribuojnë dhe përfitojnë nga procesi i integrimit në BE. Nga ana tjetër, projekti “BE për Bashkitë”, skema e parë e granteve e financuar nga BE-ja për bashkitë shqiptare, po mbështet 19 bashki me grante për investime të drejtpërdrejta duke kontribuar në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të komuniteteve vendore.

Drejtor Ekzekutiv i NALAS, Z. Kelmend Zajazi, nënvizoi rëndësinë e pushtetit vendor dhe shoqatave të tyre në procesin e integrimit evropian. “Bashkitë kanë një rol të rëndësishëm në zbatimin e legjislacionit të BE-së (EU Aquis) që krijon kornizën e standardeve për shërbimet, por njëkohësisht kanë rol në jetësimin e standardeve duke modernizuar shërbimet publike. Në këtë kontekst, roli i shoqatave kombëtare të bashkive është shumë i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian,” u shpreh Z. Zajazi.

Në forum Znj. Adelina Farrici, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, theksoi se bashkitë dhe shoqatat e tyre janë pjesë përbërëse e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Ato janë përgjegjëse për zbatimin e standardeve të BE-së në nivel vendor, angazhimin me qytetarët, ndërtimin e kapaciteteve, ofrimin e shërbimeve dhe infrastrukturës dhe njëkohësisht promovimin e zhvillimit vendor e rajonal”, tha Farrici.

Ndonëse progresi është shumë i dukshëm, ka shumë fusha në të cilat bashkitë nga Evropa Juglindore mund të përfitojnë nga praktikat dhe përvojat e vendeve fqinje, që kanë përparuar në procesin e anëtarësimit ose që janë tashmë anëtarë të BE-së. Në nivel rajonal, Rrjeti i Shoqatave të Autoritetit Vendor të Evropës Juglindore (NALAS), i mandatuar nga Autoritetet Lokale të Evropës Juglindore dhe shoqatat e tyre, vazhdon të advokojë për një përfshirje më të strukturuar të autoriteteve vendore dhe shoqatave të tyre në procesin e integrimit në BE dhe në krijimin e më shumë mundësive për autoritetet vendore në Ballkanin Perëndimor për të përfituar nga ndihma financiare e BE-së.

Në përfundim të panelit të parë, Z. Elton Stafa, Drejtor i Projektit ‘BE për Bashkitë’, nënvizoi se: “Ky forum është i rëndësishëm si platformë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të ndërvepruar me partnerët nga Evropa Juglindore.”

Gjatë punimeve të forumit u prezantuan praktikat e mira nga Z. Gledian Llatja, Kryetar i Bashkisë Elbasan, mbi projektet e kësaj bashkie në fushën e efiçencës së energjisë, nga Znj. Emiriana Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës mbi nismat për zhvillimin e qëndrueshëm, nga Z. Albert Mëlyshi, Kryetar i Bashkisë Mirditë, mbi rolin e bashkive në fushën e integrimit evropian, nga Znj. Alma Hoxha, Kryetare e Bashkisë Përmet, e cila prezantoi përvojën e Përmetit në forcimin e kapaciteteve të bashkisë për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian, si dhe nga Z. Hil Curri, Kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz, i cili prezantoi perspektivën e tij mbi nevojën për koordinim mes niveleve të qeverisjes dhe vetë bashkive për të përmirësuar aksesin në fondet e BE-së.

Në të njëjtën kohë u prezantuan nga drejtuesja e projektit  “Bashkitë për në Evropë”, Znj. Jolanda Trebicka, dy publikime të rëndësishme të projektit dhe Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore: “Raporti i Performancës ‘Bashkitë në procesin e integrimit në BE’” dhe Raporti i Progresit “Projektet e financuara nga donatorët”.

Me interes të veçantë u ndoqën përvojat nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, por edhe përtej rajonit, si Austria. Drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Z. Sazan Ibrahimi, referoi mbi rolin e Shoqatës së Komunave në proceset e integrimit dhe në rritjen e kapaciteteve vendore për thithjen e fondeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor. Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Kërkimore për Administratën Publike dhe Shoqata e Qyteteve dhe Bashkive të Austrisë, Z. Thomas Prorok, nënvizoi nevojën për koordinimin ndërmjet niveleve të qeverisjes për sa i përket procesit të negocimit me BE-në dhe nevojën për bashkëpunim horizontal ndërmjet bashkive dhe shoqatave të qeverisjes vendore. Z. Marko Ercegović, nga Shoqata e Qyteteve të Kroacisë, nënvizoi rëndësinë e ngritjes së kapacitete administrative për thithjen e fondeve të BE-së dhe zbatimin e rregullave të BE-së për zbatimin e projekteve, e sidomos mbështetja e qeverisjes qendrore me financime për hartim projektesh dhe për bashkëfinancimin. Njëkohësisht, Znj. Ardita Dema, Zëvendësdrejtoreshë nga Shoqata Kombëtare e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndau praktikat e mira nga vendi i saj për sa i përket procesit të lehtësuar të hapjes së llogarive bankare në pak javë dhe prezantoi instrumentin e mbështetjes së autoriteteve vendore me bashkëfinancimin. Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Unionit të Bashkive të Malit të Zi Znj. Vanja Starovlah, prezantoi gjithashtu praktikat në Malin e Zi për përjashtimin e bashkive nga pagesat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), për projektet e financuara nga Bashkimi Evropian.

Në përfundim, Z. Ilir Beqaj, Drejtor i Agjencisë Shtetërore për Programim Strategjik dhe Koordinim të Ndihmës, nënvizoi progresin e bërë viteve të fundit me krijimin e fondit për mbështetjen e bashkive në vend me fonde për para-financimin, bashkë-financimin dhe rimbursimin e TVSH. Ndërkohë, ai nënvizoi nevojën që bashkitë të prioritizojnë më mirë projektet e tyre, duke shtuar se në vijim, Agjencia do të ketë në konsideratë edhe kapacitetet e bashkive për zbatim projektesh para se të lëvrojë asistencën financiare.

Z. Ermal Elezi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, nënvizoi faktin se bashkitë kanë nevojë për mbështetje të mëtejshme me asistencë teknike dhe rritje të kapaciteteve, por kjo do të duhet të balancohet edhe me nevojat e tyre për investime.

Z. Fran Brahimi nga Ministria e Financave nënvizoi, ndër të tjera, rolin e rëndësishëm të projektit ‘BE për Bashkitë’ për të evidentuar problematikat në kuadrin rregullator për raportimin financiar, për menaxhimin e ndihmës së huaj dhe prokurimeve publike me fonde të Bashkimit Evropian, çështje për të cilat ministria do të vazhdojë bashkëpunimin me projektin.

Në përfundim, Znj. Marie Augou në fjalën e saj përmbledhëse nënvizoi progresin e bërë nga qeveria dhe bashkitë në Shqipëri dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për qeverisjen dhe komunitetet vendore në Shqipëri. “Qeveritë vendore pritet të marrin një rol gjithnjë e më aktiv në këtë proces dhe të krijojnë një mjedis të favorshëm që promovon vlerat e BE-së dhe plotëson nevojat reale të qytetarëve sipas standardeve të BE-së,” theksoi Augou.

Forumi u organizua në pararendje të Samitit të Procesit të Berlinit i organizuar në Tiranë më 16 tetor 2023 dhe hapi një dritare për pozicionimin e qeverisjes vendore në kuadrin e procesit të Berlinit duke u mbështetur tërësisht mbi përvojën e mëparshme të Forumit të Autoriteteve Vendore që u iniciua si pjesë e Samitit të Poznanit në 2019 nga qeveria polake dhe NALAS.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest