“Duke Zbuluar të Ardhmen”: Forumi i parë i njësive të vetëqeverisjes vendore për Agjendën e Gjelbër

Nën moton “Duke Zbuluar të Ardhmen: Innovate, Eco-vate, Elevate” u zhvillua më datë 12 tetor në Tiranë Forumi Inaugurues i Njësive të Vetëqeverisjes Vendore për Axhendën e Gjelbër. Kjo ngjarje e rëndësishme, e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Rrjeti i Shoqatave të Autoriteteve Vendore të Evropës Juglindore (NALAS) dhe Bashkia Tiranë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, shënon fillimin e një dialogu të strukturuar rajonal ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi kryesor i këtij forumi lidhet me përshpejtimin e zbatimit në nivelin vendor të Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në praninë e Zj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Z. Mehmet Ergün Turan, President i NALAS dhe njëkohësisht Kryetar i Bashkisë së Fatih, Stamboll, Z. Mathieu Mori, Sekretar i Përgjithshëm i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Z. Arbjan Mazniku, Ministër për Pushtetin Vendor në Shqipëri, dhe Z. Luigi Soreca, Ambasador i BE-së në Shqipëri.

“Një event i jashtëzakonshëm po ndodh në Tiranë, ku janë bashkuar dhe po diskutojnë së bashku Agjendën e Gjelbër dy rrjetet më të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal në Ballkan, konkretisht Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i cili lidh qeverisjet qendrore, dhe NALAS i cili lidh njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet shoqatave të qeverisjes vendore.”

Mehmet Ergün Turan, President i NALAS & Kryetar i Bashkisë së Fatih

Në fjalën e tij përshëndetëse për forumin Z. Turan u shpreh: “Si kryetar i një bashkie me histori në Stamboll dhe President i NALAS, unë besoj fuqimisht që njësitë e qeverisjes vendore luajnë një rol vendimtar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Për ta arritur këtë, nevojitet një bashkërendim ndërmjet strategjive kombëtare dhe rajonale, politikave të qeverisjes qendrore si dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve. Njësitë e qeverisjes vendore kanë nevojë për burime të mjaftueshme dhe mbështetje nga qeverisjet qendrore për t’i realizuar me efektivitet detyrat e tyre. Përfshirja e qytetarëve është po kaq thelbësore për sigurimin e suksesit të këtyre detyrave.

Unë jam i bindur që NALAS mund të luajë një rol jetësor në realizimin e agjendës së zhvillimit dhe krijimin e shpresës për prosperitet në rajonin e Evropës Juglindore. Për këtë arsye, është koha të bashkohen forcat me NALAS-in, në mbështetje të aksioneve të bashkërenduara dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.”

Tema qendrore e Forumit “Duke Zbuluar të Ardhmen: Innovate, Eco-vate, Elevate” – Ballkani Perëndimor Bashkohet për Qytetet e Zgjuara” nënvizon nevojën për përpjekje bashkëpunuese në krijimin e qyteteve të qëndrueshme dhe të zgjuara. Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime të fokusuara në transformimet e gjelbra në Ballkanin Perëndimor, shqyrtimin e qasjeve novatore ndaj zhvillimit të qëndrueshëm.

Anëtarë të nderuar të panelit ishin Z. Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë Tiranë, Zj. Danela Arsovska, Kryetare e Bashkisë Shkup, Z. Përparim Rama, Kryetar i Bashkisë Prishtinë, Z. Samir Avdić, Nënkryetari i Bashkisë Sarajevë, dhe Z. Luka Rakcevic, Nënkryetar i Bashkisë Podgoricë. të gjithë sollën në diskutime këndvështrimet dhe eksperiencat e tyre unike.

Diskutimet e panelit shërbyen si një platformë e rëndësishme për ndarjen e praktikave të mira dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet qyteteve të Ballkanit Perëndimor.

Forumi i parë i Njësive të Vetëqeverisjeve Vendore për Agjendën e Gjelbër krijon një precedent premtues për veprime të përbashkëta dhe bashkëpunim në rajon. Duke sjellë së bashku njësitë e vetëqeverisjes, me anë të këtij aktiviteti ndërmerret një hap i rëndësishëm drejt realizimit të objektivave të Agjendës së Gjelbër dhe rrugës drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin në Ballkanin Perëndimor.

 

Lajme të ngjashme

Pin It on Pinterest